Lidhje

Rumsfeld: ku janë udhëheqësit irakianë? - 2003-04-02


Për të tretën ditë me radhë zyrtari i lartë i Pentagonit i bëri sfidë Sadam Huseinit në se ai ende është në pushtet, duke vënë në dukje këtë herë dështimin e Sadam Huseinit për të dalë personalisht në televizion që të lexonte një deklaratë, e cila u lexua nga ministri i informacionit.

Sekretari i mbrojtjes Rumsfeld e cilësoi mungesën në publik të Sadam Huseinit, djemve të tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë si diçka që meriton vëmëndje.

“Ku janë udhëheqësit e Irakut? Natën para se të fillonte lufta në tokë, forcat e koalicionit sulmuan një ndërtesë ku po mbahej një takim i zyrtarëve të lartë irakianë të komandës dhe kontrollit. Që prej asaj dite prej tyre nuk kemi dëgjuar. Fakti që Sadam Huseini nuk doli vetë për të lexuar deklaratën në televizion është diçka interesante.”

Zyrtarët e Pentagonit e pranojnë se komentet rreth mungesës së Sadam Huseinit në publik janë një përpjekje për ta detyruar atë të dalë diku. Por ata thonë se këto komente kanë më shumë vlerë se sa fsikologjike. Në se udhëheqësi irakian del në publik, për të treguar se është gjallë, atëhere forcat e koalicionit mund të gjejnë vendin, ku ai ndodhet, dhe ta sulmojnë atë përsëri.

Sekretari Rumsfeld tha gjithashtu se qeveria e Sadam Huseinit po përhap fjalë se zyrtarët amerikanë kanë hyrë në bisedime me udhëheqësit irakianë lidhur me një armëpushim të mundshëm.

"Regjimi nuk po thotë të vërtetën. Me regjimin e Sadam Huseinit nuk po zhvillohen negociata. Asnjë përfundim i luftës në Irak nuk do të lejojë që Sadam Huseini dhe regjimi i tij të mbeten në pushtet. Për këtë nuk duhet të ketë asgjë dyshim.”

Sekretari amerikan i mbrojtjes tha se e vetmja gjë që forcat e koalicionit do të diskutojnë me qeverinë e Sadam Huseinit është dorëzimi pa kushte.

Zoti Rumsfeld tha se ndërkohë që ka të ngjarë që në të ardhmen të zhvillohen luftime më të ashpra, rezultati i luftës është i sigurtë.

Ai shtoi se tani forcat e koalicionit po i afrohen Bagdadit nga veriu, perëndimi e jugu dhe, siç u shpreh sekretari Rumsfeld, rrethimi po ngushtohet.

//ze//

XS
SM
MD
LG