Lidhje

Zëmërimi ndaj luftës në botën arabe - 2003-04-02


Që kur filloi lufta, në vendet arabe ka patur zemërim në rritje ndaj sulmeve ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe përpjekjeve për të hequr Sadam Huseinin nga pushteti. Imazhet e transmetuara në televizionet arabe i kanë nxitur akoma më shumë këto ndjenja.

Zemërimi midis arabëve dhe myslimanëve shihet qartë në vende si Jordania, ku të rinj jordanezë dhe meshkuj irakianë mbushin autobusët për të shkuar në Irak. Ata kërkojnë të luftojnë.

Që kur filloi konflikti, arabët nga një numër vendesh fqinje po bëjnë të njëjtën gjë. Ata e shohin ndërhyrjen ushtarake kundër Irakut si një luftë kundët gjithë arabëve dhe fesë së tyre islame. Megjithëse disa nga këta irakianë thonë se nuk e duan Sadam Huseinin, ata mendojnë se duhet të luftojnë për të ardhmen e vendit të tyre dhe të gjithë rajonit arab.

Imazhet e transmetuara në televizionet arabe kanë nxitur më shumë zemërim mes arabëve. Ata shohin skena të civilëve të plagosur irakianë, flamurin amerikan që ngrihet nga ushtarët amerikanë në një bazë irakiane dhe fotografi të robërve irakianë të luftës. Fawaz Grges është profesor për studimet arabe në kolegjin Sarah Lawrence në New York.

"Imazhet poshtëruese, imazhet e shkatërrimit të ndërtesave, bombardimi i zonave civile, të plagosurit civilë. Arabët dhe myslimanët po shohin tjetër pamje nga çfarë sheh publiku amerikan", thotë profesori.

Analistët thonë se ndërsa rritet zemërimi, më shumë njerëz nga vende si Jordania, Siria dhe Algjeria do të duan të luftojnë në Irak. Ambasadat irakiane në mbarë rajonin po përmbyten nga njerëzit që kërkojnë viza. Listat e pritjes janë të gjata.

Ministri i Jashtëm irakian pretendon se tani në Bagdad kanë shkuar më shumë se 5 mijë arabë në përgjigje të thirrjes për luftë të shenjtë. Këto thirrje vijnë edhe nga udhëheqësit fetarë të moderuar, nga faqet elektronike në internet dhe nga demontratat masive në kryeqytetet arabe.

Udhëheqësit politikë po thonë fjalën e tyre. Në një fjalim të fundit presidenti egjyptian Hosni Mubarak paralajmëroi se zgjatja e luftës në Irak mund të krijojë qindra Osam Bin Ladena. Ndërsa ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, princi Saud Al-Faisel tha se është i shqetësuar rreth pasojave afatgjata të luftës.

"Ne shpresuam për një zgjidhje paqësore. Dhe po punojmë për këtë zgjidhje. Që në fillimin e luftës ne pamë se konkluzioni ynë ishte i drejtë. Kjo luftë mund të çojë vetëm në grindje, gjakderdhje dhe rritje të zemërimit dhe ankthit në rajon", tha princi Al-Faisel.

Demonstratat anti amerikane dhe kundër luftës vazhdojnë të shtohen në botën arabe dhe myslimave.

Por udhëheqësit britanikë dhe amerikanë shpresojnë se zërat e atyre arabëve që mbështesin luftën në Irak nuk do të mbyten nga ata që e kundështojnë atë.

//rd//

XS
SM
MD
LG