Lidhje

Plane për qeverisjen e Irakut pas lufte - 2003-04-02


Kryeministri britanik, Toni Bler, tha se irakianët duhet të marrin frenat e qeverisë së vendit të tyre sa më shpejt që të jetë e mundur pas përfundimit të konfliktit të tanishëm.

Udhëheqësi britanik tha në Dhomën e Komuneve se Iraku nuk duhet të qeveriset nga amerikanët, britanikët apo ndonjë forcë tjetër e huaj, por nga vetë irakianët.

Sekretari i jashtëm britanik, Xhek Stro, tha se nga vende të tjera mund të ketë këshilltarë, por qeveria irakiane nuk do të drejtohet nga shtetas të huaj.

Në Athinë, kryeministri grek, Kostas Simitis, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të luajnë rol udhëheqës në procesin e rindërtimit të Irakut. Udhëheqësi grek, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, paralajmëroi se një administratë e kryesuar nga amerikanë dhe britanikë do të ngjallte zemërim në vendet arabe dhe mund të nxisë terrorizmin.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauëll, tha se vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara mund të bashkëpunojnë për rindërtimin e Irakut pas konfliktit.

Në një mesazh të përcjellë me anë të një videokasete në një konferencë në kryeqytetin grek, sekretari Pauëll tha se megjithë mosmarrëveshjet rreth luftës, Amerika dhe Evropa do të punojnë së bashku për të ndihmuar popullin irakian të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

Këto komente pasojnë njoftimet rreth planeve për krijimin e një administrate të pas luftës në Irak, të kryesuar nga gjenerali amerikan në pension, Xhej Garner. Gjenerali Garner dhe zyrtarë të tjerë amerikanë dhe nga vendet e koalicionit ndodhen në Kuvajt, ku po hartojnë planet për Irakun e pas luftës.

Rusia proteston: ambasada në Bagdat vihet ne rrezik

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se sulmet ajrore amerikane vunë në shënjestër një lagje të Bagdadit, ku ndodhet ambasada ruse.

Ministria e jashtme ruse thirri sot ambasadorin amerikan në Moskë, Aleksandër Vershbou, për t’i paraqitur një notë proteste rreth bombardimit.

Në një deklaratë të ministrisë thuhet se personeli rus në misionin e tij diplomatik ishte në rrezik. Nuk ka njofitme për të dëmtuar. Ministria e jashtme ruse thotë se sulme të tilla ajrore janë të papranueshme dhe u kërkoi autoriteteve të marrin masa të menjëherëshme që ato të mos përsëritën më.

XS
SM
MD
LG