Lidhje

Trupat e koalicionit i janë afruar Bagdatit 30 kilometra - 2003-04-02


Forcat e koalicionit po përparojnë në drejtim të Bagdadit në dy drejtime, nga jugu dhe juglindja e kryeqytetit irakian.

Gazetarët që udhëtojnë me divizionin e tretë të këmbësorisë amerikane thonë se disa njësi të divizionit kanë avancuar në drejtim të veriut përtej qytetit Karbala, 80 kilometra në jug të Bagdadit.

Ky avancim pason sulmet e ashpra ajrore gjatë natës kundër trupave të rregullta irakiane dhe anëtarëve të milicisë Fedajin, besnikë të Sadam Huseinit.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali Vincent Bruks, tha se forcat e koalicionit vunë nën kontroll edhe një digë jo larg qytetit, nga frika se forcat irakiane mund ta shkatërronin për të përmbytur rajonin dhe të pengonin përparimin e forcave amerikane.

Më në lindje, njoftohet se marinsat amerikanë po përparojnë drejt Bagdadit në rrugën kryesore që e lidh atë me qytetin Al Kut.

Zyrtarë amerikanë thonë se sulmet ajrore dhe tokësore shkatërruan divizionin e Bagdadit të Gardës Republikane, që mbronte zonat rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit.

Ministri irakian i Informimit, Muhamed Said al-Sahaf, hodhi poshtë njoftimet se forcat amerikane kanë shkatërruar divizionin e Bagdadit dhe tha se njoftimet për avancimin e trupave amerikane pranë qyteteve Karbala dhe Al Kut nuk janë të vërteta.

Gazetarët që udhëtojnë me forcat tokësore të koalicionit, thonë se disa prej trupave amerikane ndodhen vetëm 30 kilometra larg Bagdadit.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se forcat e koalicionit ndodhen tani brenda të ashtuquajturës vija e kuqe që ata mendojnë se mund të nxitë një sulm irakian me armë kimike.

Zyrtarët irakianë kanë mohuar në mënyrë të përsëritur se vendi i tyre zotëron armë të tilla. Ndërkohë, avionët e koalicionit vazhduan bombardimet kundër objekteve në Bagdad dhe pozicioneve të trupave irakiane në afërsi të kryeqytetit.

Iraku thotë se gjatë 24 orëve të fundit forcat e koalicionit kanë vrarë 24 civilë, përfshirë 10 në Bagdad dhe kanë plagosur 186 të tjerë.

Shpëtohet një rob lufte

Një robe lufte, e cila ndodhej në duart e forcave irakiane, u shpëtua nga trupat e koalicionit në Irak.

Gjenerali Vincent Bruks njoftoi për shpëtimin në një takim të rallë me gazetarët në orët e para të mëngjesit në Katar. Ai tha se forcat e koalicionit kryen një mision të sukseshëm dhe kthyen një ushtare amerikane në një zonë të kontrolluar nga koalicioni.

Ajo është 19 vjeçarja Xhesika Linç. Zonja Linç u shpëtua në Nasirija. Nuk janë dhënë hollësi rreth operacionit të shpëtimit. Ushtarja Linç është dërguar për mjekim në një qendër mjekësore të koalicionit.

Ushtarja u zu robe para më shumë se një jave kur autokolona e saj mori drejtim të gabuar dhe u ndodh përballë zjarrit të armikut në qytetin jugor.

Pentagoni ka thënë se 7 amerikanë të tjerë janë zënë robër nga forcat irakiane që prej fillimit të luftës.

Gjatë të njejtit operacion në afërsi të qytetit Nasirija, forcat e njësive speciale gjetën edhe 11 trupa pa jetë.

Ekipe të mjekësisë ligjore do të përpiqen të përcaktojnë nëse mes tyre janë edhe trupa të ushtarëve të koalicionit që figurojnë të humbur.

Hapet zjarr nga xhamia e Aliut

Komanda Qendrore Amerikane thotë se forcat irakiane janë vendosur në një nga faltoret më të rëndësishme të myslimanëve shi'itë në qytetin e Naxhafit.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Roxher Uillkison, një zëdhënës amerikan thotë se irakianët kanë hapur zjarr ndaj trupave të koalicionit nga brenda xhamisë, por forcat e koalicionit nuk i janë kundërpërgjigjur zjarrit:

Gjenerali Vince Brooks, thotë se forcat irakiane që kanë zënë pozicion brenda xhamisë së Aliut kanë hapur zjarr kundër një njësie të ushtrisë amerikane që është futur në Naxhaf. Gjenerali Bruks thotë se forcat e koalicionit nuk iu përgjigjën zjarrit, pasi nuk donin të dëmtonin xhaminë.

“Ne mund t’i përgjigjemi zjarrit po të duam. Ne vendosëm vetë të mos e bënim një gjë të tillë. Regjimi po godet nga një xhami, e cila nuk ka vlerë ushtarake dhe që ata duhet ta mbrojnë. Por në fakt jemi ne ata që po e mbrojmë”, tha gjenerali amerikan.

Gjenerali Brooks thotë se përdorimi i xhamisë së Aliut për qëllime ushtarake nga forcat irakiane, synonte të nxiste një kundërpërgjigje nga forcat amerikane.

Kjo dredhi, sipas fjalëve të tij ishte “shembulli më i fundit i urryer” i strategjisë së regjimit për të vënë në rrezik objekte të shenjta. Ai thotë se trupat e koalicionit do të vazhdojnë përpjekjet për të mos dëmtuar xhaminë. //ax//

XS
SM
MD
LG