Lidhje

Ku është Sadam Huseini? - 2003-04-02


Misteri rreth Sadam Huseinit mbetet në qendër të vëmendjes së Pentagonit, ku zyrtarë të lartë vazhdojnë të vënë në dukje faktin se deri tani, udhëheqësi irakian vazhdon të mos dalë në publik. Materiali në vazhdim, na njeh me komentet e Pentagonit rreth këtij njeriu që administrata e Presidentit Bush e sheh si një nga diktatorët më brutalë të kohëve moderne.

Në kulmin e operacionit ushtarak amerikan në Afganistan, zyrtarë të mbrojtjes irritoheshin, kur gazetarët i pyesnin lidhur me fatin e Osama bin Ladenit dhe të Mullah Mohamad Omarit. Zyrtarët përgjigjeshin menjëherë se operacioni në Afganistan nuk ka qenë asnjëherë i lidhur me ndonjë individ të veçantë.

Por në rastin e Operacionit Iraku i Lirë, ishte vetë Sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfelld, që u vu në krye të atyre që shtronin pyetjen nëse Sadam Huseini ishte gjallë.

Ndihmës të zotit Ramsfelld e pranojnë se kjo është një formë joshjeje që i bëhet udhëheqësit irakian. Kjo joshje u intensifikua papritur dje, kur Saddam Husseini nuk doli në televizion për të lexuar një deklaratë siç ishte njoftuar më parë, duke ia lënë këtë Ministrit irakian të Informacionit. Zoti Ramsfelld komentoi kështu: ”Ku janë udhëheqësit e Irakut? Një natë para se të fillonte lufta në terren, forcat e koalicionit ndërmorrën një goditje ndaj një mbledhjeje të komandës së lartë irakiane. Që atëherë, udhëheqësit irakianë nuk janë bërë të gjallë. Fakti që Sadam Huseini nuk doli sot për të folur në televizion, është interesant”, tha Sekretari Ramsfelld.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit shtron tezën se Sadami mund të jetë plagosur aq keq në sulmin fillestar të koalicionit, sa nuk mund të dalë dot në televizion.

Por zyrtarë të Pentagonit thonë se nuk e dinë nëse Sadami dhe bijtë e tij kanë vdekur, janë gjallë apo të paaftë fizikisht. Ajo që ata dinë me siguri, është se asnjëri prej tyre nuk është parë përveç se në videokasetat aspak bindëse të transmetuara në televizionin irakian.

Tani, thotë zoti Ramsfelld, në Bagdad kanë dalë zëra, të përhapura nga zyrtarë të paidentifikuar, se koalicioni i aleatëve është i interesuar të zhvillojë bisedime për pushimin e luftimeve dhe për një marrëveshje të mundshme paqeje. Burime të Pentagonit besojnë se kjo mund të jetë përpjekja e fundit nga ana e një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh të Sadamit për të shpëtuar kokën.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se çdo marrëveshje duhet të përfshijë dorëzimin pa kushte: ”Gjendja e regjimit ka arritur në një pikë të tillë, që zyrtarë irakianë po përhapin fjalë se koalicioni ka hyrë në bisedime me regjimin për të ndalur luftimet dhe se po studiohet një plan i një pale të tretë. Synimi i tyre është të bindin popullin e Irakut se koaliconi nuk ka ndër mend ta çojë punën deri në fund. Meqenëse këto komente transmetohen në Irak, me lejoni t’u drejtohem të gjithë irakianëve që po dëgjojnë: regjimi nuk po tegon të vërtetën, pasi nuk po zhvillohet asnjë negociatë me asnjë nga përfaqësuesit e regjimit të Sadam Huseinit. Kjo luftë nuk ka asnjë përfundim që lejon qendrimin në pushtet të Sadam Huseinit dhe të regjimit të tij”, tha sekretari Ramsfelld.

Ndërkohë, zyrtarë të zbulimit thonë se ka mundësi që nëse Sadami nuk është gjallë apo është i paaftë fizikisht, rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të mbetur të tij, ka pak të ardhme. Zyrtarë të zbulimit besojnë se brenda këtij grupi do të fillojë lufta e brendshme ndoshta para se forcat aleate të hyjnë në Bagdad. Ky rreth i ngushtë mund të përmbyset gjithashtu përmes një grushti shteti nga trupa të pakënaqura, të cilat nuk shohin ndonjë arësye të japin jetën për një regjim që zoti Ramsfelld thotë se nuk ka të ardhme.

//rd//

XS
SM
MD
LG