Lidhje

Presidenti Bush flet para trupave në kampin Lëxhun - 2003-04-03


Presidenti Bush foli të enjten përpara trupave amerikane ndërkohë që nderoi kujtimin e amerikanëve të vrarë në luftën me Irakun. Presidenti Bush vizitoi marinsat amerikanë në Kampin Lëxhun të Karolinës së Veriut dhe shprehu optimizëm për rezultatin e luftës.

Kampi Lëxhunë është baza e më shumë se 17 mijë marinsave që ndodhen aktualisht në Irak. Duke folur përpara trupave në këtë kamp, Presidenti Bush bëri një vlerësim optimist për luftën në Irak.

“Ne jemi në përparim e sipër. Destinacioni ynë është Bagdadi. Dhe ne nuk do të pranojmë gjë tjetër përveç fitores së plotë dhe përfundimtare”, tha presidenti Bush.

Por vizita u shoqërua edhe me nota trishtimi. Fjala është për çmimin e lartë që marinsat e Kampit Lëxhunë kanë paguar në luftën e tanishme.

“Kampi Lëxhunë humbi disa marinsa të guximshëm. Çdo njeri që vdes në krye të detyrës lë pas një familje në pikëllim”, tha presidenti.

Rreth 10 marinsa të Kampit Lëxhunë janë vrarë ose figurojnë të zhdukur gjatë luftimeve në Irak. Presidenti Bush u takua privatisht në këtë bazë ushtarake me disa nga të afërmit e tyre.

Powell: Koalicioni të marrë rolin kryesor për vendimet pas luftës në Irak

Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë i rëndësishëm në përcaktimin e të adhmes së Irakut të pas luftës. Pas bisedimeve me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera evropiane në Bruksel, sekretari Pauëll foli mbi planet për një proces për stabilizimin e gjendjes në Irak pas përfundimit të luftës.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se procesi do të fillojë me ngritjen e një administrate kalimtare nga komandantët ushtarakë dhe më pas do të ftohen Kombet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e popullit irakian të marrin pjesë në këto përpjekje.

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë rol udhëheqës në procesin e rindërtimit të Irakut. Dhe në një konferencë shtypi në përfundim të bisedimeve në Bruksel, sekretari Pauëll tha se nuk ka dyshim se Kombet e Bashkuara do të marrin pjesë në këtë proces.

Por zoti Pauëll theksoi se ishte koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që mori misionin për të çliruar Irakun, duke marrë parasysh koston e madhe, përfshirë jetën e pjesëtarëve të forcave të tij të armatosura, dhe shtoi se duhet që koalicioni të luajë rolin kryesor në marrjen e vendimeve pas luftës.

“Mendoj, tha sekretari Pauëll, se koalicioni duhet të luajë rol udhëheqës në përcakitimin e kursit. Kjo nuk do të thotë se dera do të jetë e mbyllur për të tjerët, nuk do të thotë se ne nuk do të punojmë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe nëmënyrë të veçantë me Kombet e Bashkuara.

Zoti Pauëll tha se shpreson që sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, të emërojë shpejt një bashkërendues të organizatës botërore që të punojë me administratën ushtarake të planifikuar nga koalicioni dhe me autoritetin kalimtar irakian që do ta pasojë atë, për të ndihmuar në dërgimin e ndihmave humanitare dhe ato për procesin e rindërtimit.

Po të enjten, ministri i jashtëm grek, George Papandreu, vendi i të cilit mban kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, njoftoi se rreth kësaj çështjeje po arrihet një konsensus.

Por ai shtoi se miratimi i një rezolute të OKB-së që të autorizojë rolin ndërkombëtar, do të jetë kusht për pjesëmarrjen e plotë të Bashkimit Evropian në procesin e rindërtimit të Irakut pas luftës. Edhe sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, foli për një mbështetje të gjerë lidhur me nevojën për t’i dhënë fund sa më shpejt konfliktit në Irak.

Ai theksoi rëndësinë e shmangies së viktimave dhe të dërgimit të ndihmave për popullin irakian. Sekretari Pauëll zhvilloi takime të veçanta me sekretarin e jashtëm të Britanisë, aleatja më e fortë e Amerikës në konfliktin e tanishëm Irak, si edhe homologët e tij nga Franca, Gjermani e Rusia, tri vende që kanë kundërshtuar luftën në Irak.//kk//

XS
SM
MD
LG