Lidhje

Çfarë rreziqesh paraqet lufta guerrile në Irak? - 2003-04-03


Forcat a koalicionit kanë ndaluar irakianë të veshur si civilë, për të cilët ata besojnë se janë luftëtarë të armikut. Problemi i ushtarëve të përzierë me popullsinë civile të qyteteve irakiane e bën fushën e betejës më të dyshimtë dhe më të rrezikshme.

Ndërhyrja e forcave të koalicionit në qytetet e Irakut për të çrrënjosur ushtrinë irakiane të fshehur mes popullsisë civile, ka shumë mundësi të përbëjë një detyrë të ndërlikuar dhe të rrezikshme. Por ushtria amerikane është e stërvitur për luftën guerrile dhe ka mësuar nga përvoja e së kaluarës.

Gjatë programeve stërvitore në Quantico të Virginias, Kolonel Gary Anderson përmend disa nga mësimet e së kaluarës.

“Kemi parë të njëjtën situatë në Liban, kështu u ka ndodhur izraelitëve, kështu na ndodhi ne në Mogadishu dhe Somali dhe po kështu u ndodhi rusëve në Çeçeni. Ata nuk u bëjnë dot qëndresë forcave të blinduara me epërsi ajrore, pasi e dinë që do të humbasin nëse veprojnë hapur. Kështu që shkojnë në qytete, përzihen me civilët dhe përdorin gratë dhe fëmijët, luftojnë të fshehur mes tyre, pasi e dinë se kjo përbën një situatë të vështirë për ne”, thotë kolonel Anderson.

Fusha e betejës guerrile, mund të përbëjë një situatë të ngatërruar, siç e provuan Shtetet e Bashkuara në Mogadishu të Somalisë në vitin 1993 kur trupat amerikane u angazhuan në një luftë guerrilase vdekjeprurëse.

Nëse armiku e çon luftën në qytete, ai mund të identifikohet me vështirësi. Kur luftëtarët heqin uniformat ushtarake, vishen si civilë dhe fshihen në zona të populluara, është e vështirë që ata të dallohen. Por ushtria amerikane shpreson që ti vërë në jetë në Irak mësimet e së kaluarës. Trupa e marinsave prej vitesh po kryejnë ushtrime stërvitore për të zbuluar taktika për të përballuar luftën guerrile.

“Ndihma humanitare ose ajo për katastrofat, janë gjëra me të cilat do të merren marinsat në të ardhmen dhe këto do të jenë në zona të populluara. Ne duhet të mësojmë se si të jemi të suksesshëm, si të jemi jashtë rrezikut dhe si të jemi efektivë në zona të populluara”, thotë Koloner Thiffault.

Këtu marinsat po përpiqen të krijojnë për provë një situatë të quajtur lufta me tri blloqe ku brenda një zone të kufizuar të qytetit, ata mund të angazhohen në luftime në njërin nga blloqet, t’u japin ndihmë humanitare civilëve të pafajshëm në një tjetër dhe njëkohësisht të kryejnë një aksion policor paqeruajtës në të njëjtën zonë. Ushtria amerikane ka zhvilluar gjithashtu një sërë mjetesh elektronike për të ndihmuar forcat që të komunikojnë dhe të lidhen me njëri-tjetrin në atë që quhet ‘një kuadër i përbashkët taktik’. Teknologjia mund të ndihmojë, por lufta guerrile është kaotike dhe e paparashikueshme. Michael O’Hanlon është studiues i Institutit Brookings.

“Lloji i tekonlogjisë që ushtria po zhvillon tani për luftën guerrile do të ndihmojë, por pak nga pak. Në analizë të fundit, lufta guerrilase është diçka e rrezikshme. Sepse armiku, duke e ditur se çfarë po ndodh, mund të të qëllojë i pari”. //kk//

XS
SM
MD
LG