Lidhje

Xhesika Linç në gjendje të qëndrueshme shëndetësore - 2003-04-03


Xhesika Linç robia e luftës, e cila u shpëtua të martën nga forcat speciale gjatë një operacioni ushtarak në Irakun jugor, është në gjendje të qendrueshme shëndetësore në një spital ushtarak amerikan në Gjermani.

Ushtarja 19-vjeçare, Linç me fraktura në të dy këmbët dhe me plagë plumbash, mbërriti të mërkurën në spitalin ushtarak në Landshtul. Ajo ka folur në telefon me pjesëtarët e familjes së saj.

Gazeta Uashington Post njofton se ushtarja Linç qëlloi disa ushtarë irakianë në pritën që çoi në kapjen e saj. Gazeta shkruan se ajo vazhdoi të luftonte edhe pasi ishte plagosur. Xhesika Linç u mbajt si robe lufte në një spital irakian për më shumë se një javë.

Përgatitje për ardhjen në shtëpi të ushtares Linç

Në qytetin e vogël Palestinë në Virxhinian Perëndimore banorët po përgatisin një festë të madhe mirëseardhjeje për Xhesika Linç.

“Do të organizohet një festë e madhe dhe besoj se të gjithë do të jenë të ftuar”, thotë Greg Lynch, babai i ushtares amerikane Jessica Lynch, duke shprehur gëzimin për lajmin e shpëtimit të vajzës. Ai falenderoi forcat speciale:

“Jemi shumë krenarë për ata që rrezikuan jetën për të shpëtuar vajzën tonë dhe shpresojmë që edhe trupat e tjerë të kthehen në shtëpi shëndoshë e mirë.

Të mërkurën në orët e para të mëngjesit forcat speciale amerikane kryen një operacion në një spital irakian në Nasiria, ku mbahej ushtarja Xhesika Linç. Për arsye sigurie, ushtria bëri publike vetëm video të xhiruara me aparatura speciale për kushte errësire, dhe gjenerali Vincent Bruks, zëdhënësi i komandës së koalicionit dha pak hollësi

Ky ishte një operacion i bashkërenduar i realizuar nga luftëtarët tanë më të mirë, që janë të vendosur të mos e braktisin kurrë shokun, tha zëdhënësi.

Xhesika Linç ishte ndër 15 ushtarët që u zhdukën 10 ditë më parë kur autokolona e tyre me furnizime mori rrugën e gabuar dhe u sulmua nga forcat irakiane. Të nesërmen televizioni irakian transmetoi video me disa nga ushtarët. //ax//

XS
SM
MD
LG