Lidhje

Interviste me Erhard Busek, Bashkërenduesi i posaçëm i Paktit të Stabilitetit - 2003-04-03


Bashkërenduesi i posaçëm i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, thotë se megjithë luftën në Irak, rajoni i Ballkanit nuk duhet lënë pas dore, pasi ai ndodhet shumë afër Lindjes së Mesme. Zoti Busek ndodhet në Uashington për bisedime me zyrtarë amerikanë. Pakti i Stabilitetit u krijua në vitin 1999 si një strategji për të parandaluar konfliktet në rajon. Në një intervistë që i dha kolegut tonë Ilir Ikonomi, zoti Busek komenton për gjendjen në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe për sfidat me të cilat ndeshen vendet e Evropës Juglindore.

-Ç’farë ndikimi mund të ketë lufta në Irak mbi zhvillimet në rajon?

Dr. Busek: Në vështrim të parë të krijohet përshtypja sikur të gjithë janë përqendruar tek Lindja e Mesme dhe sidomods tek Iraku. Por nëse i hedhim një vështrim hartës, atëhere duket qartë se rajoni i Evropës Juglindore është më i afërti me Lindjen e Mesme dhe shumë gjera si krimi i organizuar, kalojnë nga Lindja e Mesme. Prandaj të dy rajonet janë shumë të lidhur nga kjo pikpamje. Prandaj ajo që duhet bërë është të përmirësohet gjendja dhe të arrihet qendrueshmëria e dëshiruar. Nuk duhet harruar se gjatë luftës në Bosnje pati edhe muxhahedinë që shkuan atje, prandaj mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm lidhur me zhvillimet në këtë kontekst.

-Shqipëria ka dalë si përkrahëse e vendosur e SHBA në luftën në Irak. A mendoni se kjo mund të ngjallë debate dhe mund ta vonojë procesin e negociatave për marrëveshjen e asocim-stabilizimit me Shqipërinë?

Dr. Busek: Nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Sepse debati i vërtetë sot është se si të formulohet një politikë e përbashkët e jashtëme dhe e sigurimit brenda Bashkimit Evropian. Kjo ka shkaktuar probleme në të kaluarën prandaj mendoj se nuk do të kishte kuptim të krijoheshin probleme të tjera nga situata e tanishme e cila nuk ka qenë shumë e favorshme për ne të gjithë në dimensionin trans-atlantik. Të gjithë janë të bindur se krejt rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo është çështje që ka të bëjë me sigurimin tonë prandaj nuk do të ketë ndonjë ndikim.

-Në raportin e fundit të BE për Shqipërinë thuhet se Shqipëria ka bërë përparim të kufizuzra në zbatimin e reformave dhe një nga problemet që theksoheshin aty ishte korrupsioni dhe krimi i organizuar. Komenti juaj ju lutem.

Dr. Busek: Gjithmonë u them evropianëve se Shqipëria ka qenë vendi me gjendjen më të keqe më parë. Shumë gjëra u shkatërruan plotësisht nga regjimi i Enver Hoxhës dhe prandaj përmirësimi është shumë më i vështirë se sa në vendet e tjera. Shqipëria ka qenë e izoluar nga bota për shkak të sistemit të mëparshëm politike. Tani ka përmirësime sepse nëpër rrugë nuk ka më trazira. Ka beteja politike, që për mendimin tim janë të natyrshme. Ka patur disa përmirësime për sa i përket legjislacionit dhe administratës, por shumë gjëra nuk janë realizuar. Unë u kërkoj shqiptarëve që të mos ndjehen të turpëruar kur ne u themi atyre se çfarë është e nevojshme të bëjnë. Këtë ne e bëjmë për t’u dhënë një shtytje më tepër. Sidoqoftë, bisedimet për marrëveshjen e asocim-stabilizimit kanë filluar dhe kjo është një shenjë shumë e mirë.

-Por a mendoni se krimi i organizuar dhe korrupsioni po e pengojnë seriozisht zhvillimin ekonomik të vendit?

Dr. Busek: Po, sepse kjo jep përshtypjen sikur krejt rajoni dhe jo vetëm Shqipëria është e lidhur me krimin. Por më duhet të them se ky është krim që vjen pjesërisht nga jashtë, për shembull droga vjen nga Afganistani, ndërsa trafiku i qenieve njerëzore vjen nga jashtë Evropës. Por administrimat e dobëta shërbejnë si joshje për elementët kriminalë, prandaj na duhet të bëjmë gjithçka që administrata të jenë më të forta dhe po ashtu të forcojmë bashkëpunimin rajonal. Punët po ecin por ne nuk jemi të kënaqur sepse ne nuk kënaqemi kurrë, por mendoj se po ecet në drejtimin e duhur dhe në Shqipëri ka tani më shumë stabilitet.

-Por edhe një sistem i dobët juridik shërben si joshje për elementët kriminalë, apo jo?

Dr. Busek: Ky është një problem i përgjithshëm edhe për rajonin sepse gjykatat nuk funksionojnë si duhet, ekzistojnë lidhje midis klaneve të vjetër dhe kjo kërkon një farë kohe për të ndryshuar. Por në bashkëpunim me Komisionin e Bashkimit Evropian ne po e drejtojmë vemendjen te çështjet e rendit dhe të drejtësisë për të arritur më shumë përparim në këtë drejtim.

-Cilat janë projektet e Paktit të Stabilitetit për Kosovën dhe si trajtohet Kosova nga pikpamja juridike në projektet tuaja?

Dr. Busek: Çështja e statusit të Kosovës nuk është një subjekt i Paktit të Stabilitetit. Por ne nuk duhet të lejojmë që Kosova të mbetet një vrimë e zezë në hartë. Prandaj ne kemi paraqitur disa propozime që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, për shembull për krimin e organizuar, transportin, elektricitetin dhe shumë çështje të tjera. Së shpejti ne do të dërgojmë në Kosovë një misioni biznesi për t’u dhënë shtytje investimeve atje sepse kjo është shumë e nevojshme. Kosovarët marrin pjesë në takimet e Paktit të Stabilitetit si njësi e administruar nga UNMIKu. Nuk është detyra jonë të merremi me çështjet e së drejtës ndërkombëtare. Detyra jonë është të arrijmë qendrueshmërinë në Kosovë në një hap me krejt rajonin. Nga vetë karakteri i tij, Pakti i Stabilitetit është një bashkëpunim midis shteteve, prandaj ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje të tregtisë së lirë me Kosovën por mund të nënshkruajmë marrëveshje të përgjithshme me të.

-Dr. Busek, si mendoni se po e trajton qeveria e Kosovës çështjen e kthimit të refugjatëve, për të cilën edhe Pakti i Stabilitetit ka programet e tij.

Dr. Busek: Ne kemi programe për këtë qëllim dhe i kemi bërë propozime UNMIK-ut dhe qeverisë, por tani për tani mund të them se nuk ka shumë zhvillime në këtë drejtim. Mendoj se kthimi i të shpërngulurve është jashtëzakonisht i vështirë pasi nga njëra anë duhet garantuar siguria e tyre ndërsa nga ana tjetër është çështja e punësimit të tyre. Ne kemi patur bisedime me qeverinë serbe dhe me ish kryeministrin Zoran Xhinxhiç për këtë çështje por nuk mund të them se kemi gjetur ndonjë zgjidhje.

XS
SM
MD
LG