Lidhje

Kush duhet ta qeverisë Irakun pas lufte? - 2003-04-03


Megjithëse lufta në Irak vazhdon, zyrtarët amerikanë kanë bërë plane për një administratë në Irakun e pas luftës. Por në lidhje me këto plane, të cilat bëjnë thirrje për vendosjen e një administrate kalimtare nën kontrollin direkt të Shteteve të Bashkuara në Irakun e pas luftës, kanë lindur një sërë debatesh.

Krahas me zjarrin e armëve të luftës në Irak, vazhdojnë edhe debatet e ndezura politike në lidhje me planet e Shteteve të Bashkuara për administratën e pas luftës në Irak.

Ka mosmarrëveshje në lidhje përgatitjet e Shteteve të Bashkuara, për të qeverisur praktikisht të vetme në Irakun e pas luftës dhe që Kombeve të Bashkuara t’u jepet vetëm rol humanitar.

Shtetet e Bashkuara kanë hapur një zyrë të re, të quajtur “Zyra e Rindërtimit dhe Ndihmës Humanitare”, për të qeverisur Irakun për një periudhë të pacaktuar, deri në momentin kur në Irak të vijë në pushtet një qeveri civile. Pavarësisht se emri i zyrës së re tingëllon si civil, ajo do të jetë një qeveri e tipit ushtarak, e kryesuar nga gjenerali amerikan Xhei Garner, me një kabinet në përbërje të të cilit ka zyrtarëve të Departamentit amerikan të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes.

Nail Gardner, studjues në Fondacionin Heritage dhe ish-këshilltar e ish-kryeministres britanike Margaret Theçer, thotë se Kombet e Bashkuara nuk duhet të marrin pjesë në qeverisjen e Irakut të pas luftës.

“Parimi bazë duhet të shtrohet nga administrata e presidentit Bush, se vetëm ato vende, të cilat marrin pjesë në të ashtuquajturin “Koalicion i vullnetit të mirë” duhet të marrin pjesë në administrimin dhe ruajtjen e sigurisë në Irakun e pas luftës. Mendoj se Kombeve të Bashkuara aktualisht u mungon autoriteti moral, si dhe aftësia praktike për të drejtuar një detyrë tepër komplekse, siç është administrimi i Irakut të pas luftës dhe drejtimi i një operacionit të sigurimit atje. Jam i mendimit se Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht pozicionin më të mirë për të drejtuar administratën”, thotë zoti Gardner.

Disa zyrtarë amerikanë, janë shprehur jo zyrtarisht se ata as që e ndjejnë nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për administrimin e Irakut të pas luftës.

Por të tjerë janë të mendimit se ky do të ishte gabim. Edhe kryeiministri britanik Toni Bler, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në luftën e Irakut, tha ditët e fundit se çdo qeveri e pas luftës në Irak, duhet miratur më parë nga Kombet e Bashkuara. “Natyrisht, që në një rast të tillë, do të jetë e nevojshme përfshirja e Kombeve të Bahskuara, për arsye se kjo çështje ka të bëjë me marrëveshjen midis Shteteve të Bahskuara dhe evropianëve dhe se çdo qeveri e përkohëshme e Irakut, kërkon miratimin e tyre”, tha kryeministri Bler.

Në një raport të kohëve të fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një orgnizatë e pavarur, e cila merret me studimin e pikave të nxehta të globit, thotë se qeveria e përkohëshme e Irakut të pas luftës duhet të drejtohet nga Kombet e Bashkuara.

Por Batheba Kruker, e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se të çarat e krijuara në Kombet e Bashkuara janë të thella. Zonja Kruker përmend me këtë rast debatet që u zhvilluan në Këshillin e Sigurimit për fillimin e Programit Naftë për Ushqime, sipas të cilit me paratë nga shitja e naftës së Irakut, do të blihen ndihmat humanitare për këtë vend.

“Diskutimet që u zhvilluan ditët e fundit në Këshillin e Sigurimit në lidhje me Programin Naftë për Ushqime nuk janë premtuese. Kjo është një çështje humanitare dhe nuk duhet të bëhej jetë objekt mosmarrëveshjesh. Nga ana tjetër, fakti që u zhvilluan diskutime të tejzgjatura për ditë të tëra, të cilat ishin tepër kundërthënëse, gjithashtu rezoluta e Këshillit të Sigurimit për të cilën ne ramë dakord, ishte përpiluar në mënyrë të atillë, për të shmangur çështjet e diskutueshme, është një shenjë se marrëdhëniet tona në Kombet e Bashkuara nuk janë fort të mira tani për tani dhe se mund të jenë akoma më të këqia nga sa mendonim ne të ishin”, thotë analistja.

Por zyrtarët amerikanë thonë se cilido të jetë roli i Kombeve të Bashkuara, apo i organizatave të ndihmave në Irak, ato do të jenë nën mbikqyrjen e një qeverie kalimtare, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG