Lidhje

Bombardime të fuqishme në Bagdad gjatë natës - 2003-04-04


Avionët e koalicionit po bombardojnë Bagdadin, ndërkohë që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara po rrethojnë kryeqytetin irakian. Shpërthime të reja u dëgjuan gjatë natës në Bagdad, duke ngritur shtëllunga tymi dhe flake në qiell, ndërsa artileria kundërajrore ndriçoi qiellin e erët të natës. Sulmet u kryen pasi komanda qendrore amerikane tha se trupat në terren morrën nën kontroll aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit, 20 kilometra nga qendra e qytetit. Zyrtarët ushtarakë thanë se trupat po vazhdojnë përpjekjet për të eliminuar rrezistencën e forcave irakiane.

Ministri irakian i Informacionit, Mohammad Said al-Sahhaf, paralajmëroi për atë që e quajti një operacion jo të zakonshëm martirësh kundër forcave amerikane në aeroport. Megjithatë, zoti al-Sahhaf, hodhi poshtë mundësinë e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Korrespondentët që po udhëtojnë me marinsat amerikanë thone se zjarri i armëve irakiane nuk e ka penguar avancimin e drejt Bagdadit. Njoftimet nga Iraku bëjnë të ditur se forcat amerikane janë ndaluar në periferitë e qytetit, duke pritur urdhërin për të hyrë në qytet.

Ndërkaq, Komanda qendrore amerikane në Katar bën të ditur se dy pilotë të helikopterve të marinës u vranë sot, kur helikopteri i tyre u rëzua në pjesën qendrore të Irakut. Zyrtarët thonë se ngjarja po hetohet, por nuk duket të ketë rezultuar nga zjarri irakian. Dëshmitarët thonë se mijra civilë irakianë kanë mbushur makinat dhe po largohen nga Bagdadi, ndërkohë që po afrohen forcat amerikane.//ic//

XS
SM
MD
LG