Lidhje

Shqiptaro-amerikani Afrim Brahimi shërben me trupat e Marinës Amerikane në Gjirin Persik - 2003-04-04


Me trupat e Marinës Amerikane që kanë shkuar në Gjirin Persik, është edhe shqiptaro-amerikani Afrim Brahimi. Prindërit e Afrimit janë nga Ferizaj i Kosovës, por vetë ai ka lindur në Shtetet e Bashkuara. Prindërit e Afrimit, Haxhire dhe Shyqyri Brahimi thonë se një nga arsyet që i biri mori vendimin të rreshtohej në radhët e marinsave amerikanë, ishte ndërhyrja e trupave amerikane në Kosovë.

Dy vjet më parë, 21-vjeçari Afrim Brahimi, shqiptaro-amerikan nga New Yorku, me të përfunduar studimet në Universitetin St. Jones në degën e farmacisë, vendosi te regjistrohet në radhët e Trupave të Marinës Amerikane. Ai filloi stëvitjen në pika të ndryshme të botës, si Japoni, Australi dhe brenda Shteteve të Bashkuara, në Kaliforni.

Nëna e Afrim Brahimit, Haxhirja, thotë se kur i biri u regjistrua në trupat e marinës amerikane, ata nuk e dinin se ai do të shkonte pikërisht në luftën e Irakut, por megjithatë, ky ishte vendimi i tij.

Nëna Haxhire tha se letra e fundit që kanë marrë nga i biri, ka qenë para fillimit të luftës. Tani, familja di vetëm qi Afrimi ndodhet në Kuvajt me trupat e marinsave amerikane.

Ushtria amerikane është një ushtri me baza vullnetare. Po ç’e shtyu shqiptaro-amerikanin Afrim Brahimi të shkonte në luftën e Irakut; le t’i kthehemi dy vjetëve të shkuara, fillimisht, ç’e shtyu atë të regjistrohej në radhët e marinsave amerikane? I ati i Afrimit, Shyqyri Brahimi, thotë se kur i biri donte të regjistrohej marins, si prind, ai menjëherë bëri pyetjen: përse? Afrimi ju përgjigj të atit se si shqiptaro-amerikan me origjinë nga Ferizaj i Kosovës, ai ishte ndjerë shumë mirënjohës kur trupat amerikane morën pjesë në luftën e Kosovës, për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga ana e forcave serbe.

Shyqyri Brahimi thotë se ai dhe e shoqja ndjehen krenarë që i biri ka shkuar të luftojë në Irak dhe mezi presin që ai të kthehet shëndoshë e mirë në gjirin e familjes.

//ze//

XS
SM
MD
LG