Lidhje

A është gjallë Sadam Huseini? - 2003-04-04


Një zyrtar amerikan tha se fjalimi i Sadam Huseinit që televizioni shtetëror irakian transmetoi sot, lë të kuptohet se udhëheqësi irakian i shpëtoi një sulmi amerikan të 20 marsit. Ai vuri në dukje se udhëheqësi irakian përmendi incidentin, në të cilin një helikopter amerikan u rrëzua katër ditë pas fillimit të luftës.

Zyrtari amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se fjalimi nuk është provë përfundimtare se Sadam Huseini është gjallë. Por, ai thkesoi se përmendja e rrëzimit të helikopterit lë të kuptohet se fjalimi është regjistruar pas sulmit ajror në bunkerin e Sadam Huseinit në Bagdad.

Në fjalimin e transmetuar sot, Sadam Huseini u bëri thirrje irakianëve të luftojnë kundër forcave të koalicionit përreth Bagdadit. Ai përmendi incidentin, në të cilin Iraku tha se një fshatar kishte rrëzuar një helikopter amerikan Apeçi.

Presidenti Husein tha gjithashtu se forcat amerikane po i kalojnë vijat irakiane të mbrojtjes përreth Bagdadit, duke hedhur trupa nga ajri. Zoti Husein tha se numri i këtyre trupave është i vogël dhe se qytetarët irakianë duhet t’i sulmojnë ata me të gjitha forcat.

Dje, zyrtarë amerikanë të zbulimit thanë se mendonin që të gjitha paraqitjet e deritanishme televizive të Sadam Huszeinit ishin regjistruar para fillimit të luftës. Ata thanë se nuk e dijnë nëse Sadam Huseini është gjallë apo jo.

Po sot, para transmetimit të këtij fjalimi, ministri i jashtëm irakian, Naxhi Sabri, tha se Sadam Huseini është gjallë. Zoti Sabri i tha sot Bi-Bi-Si-së se presidenti irakian dhe udhëheqja e vendit janë mirë dhe në kontroll.

//ze//

XS
SM
MD
LG