Lidhje

Administratori Shtainer në Beograd - 2003-04-04


Shefi i UNMIK-ut Mihail Shtajner ka biseduar sot në Beograd me kryeministrin e ri të Serbisë, Zoran Zhivkoviq dhe shefin e Qendrës Bashkërenduese për Kosovën, Nebojsha Çoviq lidhur me kalimin e kompetencave institucioneve të Kosovës.

Zoti Shtajner, i ka cilësuar bisedimet me qeveritarët serbë si shumë të dobishme ku, siç tha, secila palë ka pasur mirëkuptim për qëndrimet e palës tjetër. Ai theksoi se kalimi i kompetencave më të mëdha në institucionet e Kosovës është e parashikuar me dokumentat për formimin e tyre para 14 muajve, dhe këtë e ka mbështetur Këshili i Sigurimit në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti, dhe shtoi se kjo punë duhet të përfundojë deri në fund të vitit, duke shtuar se kjo nuk e çon Kosovën drejt pavarësisë.

Kryeministri serb, Zoran Zhivkoviq, para gazetarëve, shprehu keqardhje që zoti Shtajner nuk është pajtuar me kërkesën e qeverisë serbe për ta shtyrë kalimin e paralajmëruar të kompetencave në institucionet kosovare, por shfaqi shpresën se kalimi i tyre nuk do të shkaktojë destabilizime të mëtejme të Kosovës.

Përfaqësuesit e qeverisë serbe kanë kërkuar nga zoti Shtajner që ta ngadalësojë këtë proces me arsyetimin se për këtë nuk është koha, sepse inistitucionet kosovare janë larg standardeve të nevojshme për punë të mirëfilltë. Por zoti Shtajner është përgjigjur se nuk ka ndërmend t'i kalojë ato kompetenca, që sipas Rezolutës 1244 dhe kornizës kushtetuese, janë të rezervuara për përfaqësuesin e sekretarit të përgjtishem të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Shtajner tha se bashkëbiseduesve të vet u ka dhënë garanci se në kompetencat e kaluara nuk do të bejnë pjesë politika e jashtme, mbrojtja, siguria, bashkëpunimi ekonomik me jashtë, sistemi gjyqësor, Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe mbikqyrja e të drejtave minoritare. Zoti Shtajner përsëriti se kalimi i kompetencave nuk nënkupton përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, duke shtuar se politika e tij është - më parë standardët e pastaj statusi. Sepse, tha ai, prioritete në Kosovë janë kthimi i të shpërngulurve, krijimi i shoqërisë shumetnike, lufta kundër kriminalitetit të organizuar dhe zhvillimi ekonomisë.

Zoti Shtajner tha se për momentin nuk mund të flitet për fillimin e bisedimeve midis Beogradit e Prishtinës, duke shtuar se për këtë do të vendosë Këshilli i Sigurimit dhe Bashkësia Ndërkombëtare.

Ndërkaq, Nebojsha Çoviq, tha se midis përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë dhe zotit Shtajner ekzistojnë dallime të mëdha, sepse Beogradi konsideron se kalimi i kompetencave nuk duhet të bëhet para kthimit të të shpërngulurve dhe sigurimit të sigurisë e të lirisë së qarkullimit për pakicat. Ai vuri në dukje se institucionet që duhet t’i marrin këto kompetenca nuk janë të afta dhe shumetnike, me që pjesëtarët e nacionalitetit serb, siç tha ai, me siguri do t’i braktisin ato. Sipas zotit Çoviq vështirë se mund të besohet se kalimi i kompetencave nuk e çon Kosovën drejt pavarësisë.

XS
SM
MD
LG