Lidhje

Disa prej problemeve kryesore për Ballkanin e sotëm - 2003-04-04


Problemet kryesore me të cilat ndeshet Ballkani aktualisht lidhen më së shumti me infrastrukturën e dobët, mungesën e mundësive për zhvillim ekonomik në komunitete si dhe imazhi negativ, që bëhet pengesë e angazhimit të fondeve të huaja për zhvillim. Këto janë përfundimet e analistëve Misha Glenny dhe Ross Johnson të ftuar në një diskutim mbi sfidat e Ballkanit organizuar nga Qendra Woodrow Wilson në Washington. Analistët theksojnë gjithashtu se duhet të fillojë një diskutim i hapur për zgjidhjen e statusit fiktiv të njësive si Serbia dhe Mali i Zi, apo Kosova, për t’i hapur rrugën një zhvillimi më të qëndrueshëm të rajonit.

Çështja e perceptimit, thotë analisti Glenny ka një ndikim të madh negativ ekonomik dhe social mbi rajonin, prandaj ai thotë se duhen vënë në dukje sukseset për të vënë në dukje një tjetër imazh të rajonin të Evropës jug-lindore. Ai merr si shembull arritjet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Një ndër problemet kryesore të rajonit, thotë zoti Glenny, është çështja e financimit të partive politike, që i lë rrugë të hapur korrupsionit.

Burimet janë të pamjaftueshme, thotë zoti Glenny, dhe e vetmja mënyrë për të siguruar këto fonde është përmes krimit të organizuar. Pikërisht në këtë mënyrë është krijuar kjo varësi e pjesshme, dhe nganjëherë e plotë e shtetit nga korrupsioni dhe krimi. Për këtë arsye kërkohet që Perëndimi t’i kushtojë më shumë vëmendje reformimit të procesit politik.

Procesi i de-industrializimit dhe i shkatërrimit të ekonomive bujqësore ka sjellë një amulli ekonomike dhe po ushqen pa ndërprerje krimin dhe emigracionin. Ai i bën thirje komunitetit ndërkombëtar të përqëndrohet më shumë në zhvillimin ekonomik në komunitete si mënyra më e efektshme për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Bashkimi Evropian, thotë ai, ka një farë angazhimi për të luftuar krimin e organizuar, përmes metodave tradicionale të vendosjes së rendit. Por ata duhet ta kuptojnë se nuk mund të ndalojnë veprimtarinë e mafias së Ballkanit në vendet e Bashkimit. E vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen e krimit të organizuar në Evropën juglindore është përmes stabilizimit ekonomik në rajon.

Një ndër problemet që kërkojnë zgjidhje në një të ardhme të afërt është statusi i njësive të pastabilizuara si Serbia dhe Mali i Zi, Bosnja Hercegovina dhe Kosova. Analisti Ross Johnson thekson se nuk bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Kosovës brenda një periudhe afat-shkurtër, por për hapjen e një diskutimi mbi zgjidhjen e statusit të saj.

"Qëndrimi i përgjithshëm ndaj çështjes së Kosovës, thotë zoti Johnson, është shtyrja e zgjidhjes së saj në të ardhmen, duke mos pranuar të diskutohet statusi i saj. Të mos pranosh të diskutosh këtë status do të thotë që nuk pranon të diskutosh se çfarë është ose çfarë do të bëhet Kosova. Arsyeja që nxirret është se Kosova i përket një njësije që nuk ekziston më."

Zoti Glenny e shikon zgjidhjen e çështjes së Kosovës si një element kritik të ruajtjes së një qëndrueshmërie në rajonin e Ballkanit. Pa zgjidhur këtë çështje, thotë ai, zemërimi dhe nervozizmi politik i shqiptarëve në Kosovë si dhe ndikimi i kësaj atmosfere në qëndrueshmërinë e Serbisë, përbën një kërcënim serioz për qëndrueshmërinë në rajon.

//ze//

XS
SM
MD
LG