Lidhje

Presidenti Bush: lufta në Irak provon ligësinë e regjimit të Sadam Huseinit - 2003-04-05


Presidenti Bush tha se lufta në Irak provon ligësinë e regjimit të Sadam Huseinit dhe tregon se bota nuk do të qëndrojë indiference ndërkohë që terroristët planifikojnë sulme të tjera kundër vendeve të lira.

Në fjalimin e tij të përjavshëm sot në radio, presidenti tha se çdo përparim i forcave të koalicionit në Irak provon frikën e pasusve të Sadam Huseinit. Zoti Bush akuzoi përsëri forcat irakiane, të cilat tërhiqen, se përdorin mburojat civile dhe terrorizojnë popullin irakian, duke ekzekutuar robërit e luftës dhe duke sulmuar ndërkohë që ngrenë flamurin e dorëzimit. Ai shtoi se anëtarë të forcës besnike të diktatorit irakian janë kriminelë lufte dhe do të trajtohen si të tillë.

Presidenti Bush tha se nga ana tjetër populli irakian po mirëpret trupat amerikane dhe aleatët e tyre. Ai shtoi se forcat e koalicionit po u sjellin irakianëve të vuajtur më shumë se sa ushqime, ujë dhe ilaçe, ata po u sjellin atyre shpresë. Presidenti premtoi, siç u shpreh ai, se fshat pas fshati, qytet pas qyteti, liria po vjen.

Zoti Bush tha se lufta po i shërben një kauze të madhe e të drejtë, duke hequr armët e shkatërimit në masë nga duart e autorëve të vrasjeve masive. Ai theksoi se vendet e lira nuk do të presin, ndërsa ermiqtë e tyre organizojnë një sulm tjetër si ato të 11 shtatorit 2001, këtë herë me armë kimike, biologjike dhe bërthamore.

Administrata e presidentit Bush e ka akuzuar shpesh herë Sadam Huseinin se ka lidhje me rrjetin terrorist al-Kaida të Osama Bin Ladenit, megjithëse nuk ka dhënë prova të pakundërshtueshme për lidhje të tilla. Bagdadi ka mohuar çdo lidhje të tillë si dhe ka mohuar të ketë armë të shkatërrimit në masë.

//ze//

XS
SM
MD
LG