Lidhje

Putini është i angazhuar për një dialog politik me SHBA lidhur me luftën  në Irak - 2003-04-05


Presidenti rus Vladimir Putin tha se është i angazhuar për një dialog politik me Shtetet e Bashkuara lidhur me luftën në Irak.

Kremlini njoftoi sot se presidenti Putin e shprehu gadishmërinë e tij për vazhdimin e bisedimeve gjatë një bisede telefonike me presidentin Bush. Kremlini tha se dy udhëheqësit synojnë të gjejnë një zgjidhje të konfliktit në Irak, i pranueshëm nga komuniteti ndërkombëtar.

Kremlini tha gjithashtu se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të planifikojnë këshillime në nivele të ndryshme qeveritare, megjithë mosmarrëveshjet si pasojë e luftës në Irak.

Gjatë ditëve të fundit, zoti Putin i ka zbutur kritikat për luftën, duke thënë se mundja e Shteteve të Bashkuara në Irak nuk do tu shërbente interesave të Rusisë.

Presidenti i Rusisë dhe ai i Francës thanë se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol kryesor në përpjekjet për ti dhënë fund luftës në Irak.

Sot, në një deklaratë të zyrës së presidentit rus, Vladimir Putin, thuhej se dy udhëheqësit i shprehën pikpamjet e tyre gjatë një bisede telefonike.

Zoti Putin dhe presidenti francez, Zhak Shirak u shprehën gjithashtu të kënaqur me rezultatin e takimit të djeshëm në Paris të ministrave të jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Rusisë. Këto 3 vende janë kundërshtaret perëndimore më të fuqishme të luftës në Irak.

Në deklaratën e sotme të Kremlinit thuhej gjithashtu se presidentët Putin dhe Shirak theksuan nevojën për një përpjekje ndërkombëtare për të punuar drejt paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme.

//ze//

XS
SM
MD
LG