Lidhje

Forcat e koalicionit mund ta marrin Bagdadin në çdo kohë - 2003-04-05


Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan thotë se trupat e koalicionit kanë provuar se mund të hynë në Bagdad në çdo kohë që të vendosin, pasi avancuan me tanket dhe mjetet e tjera të blinduara në qendër të qytetit sot.

Komandanti i operacioneve të koalicionit, gjeneral-majori Victor Gene Renuart, tha se inkursioi kishte si qëllim që t’i tregonte udhëheqjes irakiane se nuk e ka më nën kontroll vendin. Ai tha se forcat amerikane ndeshën në luftime intensive kur kaluan nëpër Bagdad, para se të drejtoheshin për në aeroportin e qytetit, që është nën kontrollin e forcave të koalicionit.

Por ministri irakian i Informimit, Mohammed Saeed al-Sahhaf, hodhi poshtë deklaratat e koalicionit për këtë inkursion dhe tha se forcat irakiane i kanë mundur forcat amerikane në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.

Ndërkaq, komandanti i fushatës ajrore të koalicionit tha se pjesa më e madhe e divizioneve të Gardës Republikane përreth Bagdadit është shkatërruar. Gjeneral lejtnanti Michael Moseley tha se avionët e koalicionit po patrullojnë tani gjatë gjithë 24 orëve në qiellin e Bagdadit, ku u dëgjuan shpërthime masive në orët e para të mëngjesit sot.

Mijra trupa amerikane janë vendosur në periferitë jugore të Bagdadit, ndërsa komandantët amerikanë po diskutojnë hapin e ardhëshëm në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të përmbysur Saddam Husseinin.

Po ashtu dje, televizioni irakian transmetoi fragmente të takimeve të Saddam Husseinit me djemtë e tij dhe komandantët ushtarakë. Por është e pamundur të përcaktohet vërtetësia e videove apo koha se kur janë regjistruar ato.//ic//

XS
SM
MD
LG