Lidhje

Serbia: kalimi i kompetencave institucioneve vendore në Kosovë do të sjellë destabilizim - 2003-04-06


Shefi i Qendrës Bashkërenduese serbe për Kosovën, Nebojsha Çoviç, ka deklaruar se nuk janë të sakta pohimet e shefit të UNMIK-ut, Mihail Shtajner se nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka marrë mbështetje që deri në fund të vitit t’ia kalojë kompetencat më të mëdha organeve kalimtare të Kosovës. Ai shtoi se ky është interpretim i zotit Shtajner.

Ndërkaq, udhëheqësit e serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe formimin e organeve të tyre paralele, përfshirë edhe forcat ushtarake.

Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Çoviç, duke komentuar vizitën të premtën të shefit të UNMIK-ut në Beograd, u shpreh për mediat serbe se ajo për të cilën ”po flet Shtajner lidhur me kalimin e kompetencave në institucionet e Kosovës, nuk është e saktë dhe e vërtetë”. ”Këshilli i Sigurimit, vazhdoi zoti Çoviç, nuk ka asgjë kundër kalimit të kompetencave, por është me rëndësi se kur dhe në ç’kushte do të bëhet kalimi i tyre”. Ai theksoi se nëse ”Shtajner vazhdon të jetë kokëfortë, sikurse është, atëherë me këtë do ta përmbushë dëshirën e tij ... që t’i largojë serbët nga institucionet kosovare”. ”Kjo, thekson nënkryetari i qeverisë së Serbisë, do të tregojë se ai (Shtajner) nuk dëshiron as shoqëri dhe as institucione shumetnike, ndonëse e ka gojën plotë me këto fraza”.

Sipas zotit Çoviç, përgjegjësinë më të madhe për ”krizën serioze dhe radikalizimin në Kosovë që do të pasojë, nëse sivjet nuk bëhet ndojnë hap i madh përpara, do ta mbajë Mihail Shtajner”. ”Ai ka kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare që të ndihmojë, siç thotë, dhe t’i largojë njerëzit që krijojnë konflikte, trillime e flasin të pavërtetën dhe, situatën, edhe ashtu, e vështirë në rajon, po e bëjnë edhe më të rëndë, për hir të arritjeve personale në karierë”.

Çoviç paralajmëroi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës më 23 prill, do të japë përgjigjet lidhur me konstatimet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it se ”në Kosovë mbretëron një situatë e qëndrueshme”.

Ashpër kanë reaguar edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Millan Ivanoviç i Këshillit Kombëtar Serb për pjesën veriore të Kosovës, ka shfaqur shpresën se pas një qëndrimi të tillë të Shtajnerit, përfaqësuesit e serbëve do të dalin nga institucionet e Kosovës. Ai i ka ftuar autoritetet e Beogradit që të kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit zëvendësimin e shefit të UNMIK-ut duke shtuar se kalimi i kompetencave nuk është në mandatin e Shtajnerit. Nëse ai ”nuk heq dorë nga kjo, atëherë në Kosovë do të ketë destabilizim, sepse serbët do të jenë të detyruar të vetorganizohen, të formojnë ushtrinë e tyre dhe të mbrojnë sigurinë e lirinë e tyre të rrezikuar”.

Shefi i UNMIK-ut i siguroi të premtën qeveritarët e Serbisë se në institucionet e Kosovës nuk do të bëhet kalim kompetencash në fushën e politikës së jashtme, të mbrojtjes, të sigurisë, të sistemit gjyqësor, si dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës nuk do ta ndryshojnë rolin e tyre.

Ndërkaq, mediat serbe citojnë të djelën kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, të ketë vlerësuar, për televizionin lokal "Palma Plus", të Jagodinës, se ”Prishtina, Beogradi dhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet që, me marrëveshje, të ngrîhet statusi përfundimtar i Kosovës, dhe që Kosova, Serbia e Mali i Zi, pas kësaj, si entitete të veçanta, të integrohen në strukturat evroatlantike. Thaçi citohet të ketë thënë gjithashtu se ”të shpërngulurit, kudo që gjenden, kanë të drejtë të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë dhe pasuritë e tyre”, por ka shtuar se ”kthimi nuk duhet të keqpërdorët për qëllime politike”. //az//

XS
SM
MD
LG