Lidhje

Bombardimet në Irak shkaktojnë viktima në radhët e gazetarëve - 2003-04-06


Dy gazetarë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën si rezultat i bombardimeve të forcave amerikane në Bagdat.

Rrjeti televiziv arab Al-Xhazira thotë se zyra e tij në Bagdat u godit sot gjatë bombardimeve amerikane dhe një prej punonjësve u vra. Al-Xhazira njofton se Terek Ajub, me shtetësi jordaneze u plagos rëndë nga bombardimi dhe më pas vdiq nga plagët e marra. Një punonjës tjetër i Al-Xhazirës u plagos.

Pak më pas një shpërthim tronditi Hotel Palestinën në Bagdat ku po qëndrojnë shumica e gazetarëve. Një kameraman ukrainas 35 vjeçar që punonte për agjencinë Rojter u vra nga shpërthimi. Disa punonjës të tjerë të agjencisë Rojter dhe një kameraman spanjoll u plagosën.

Komandanti i Divizionit të Tretë të forcave të këmbësorisë, gjenerali Buford Blount, u tha gazetarëve pranë aeroportit të Bagdatit se një tank amerikan qëlloi me një predhë drejt hotelit në përgjigje të hapjes së zjarrit me granata-hedhës dhe armë të tjera të vogla nga ndërtesa.

Më pas zëdhënësi i komandës qendrore, gjenerali Vincent Bruks tha se forcat e koaliciconit nuk venë në shenjestër gazetarët dhe ai shprehu keqardhje për viktimat.

Rrjeti televiziv Abu Dabi thotë se zyra e tij në Bagdat po ashtu u qëllua gjatë një bombardimi amerikan në afërsi të Ministrisë Irakiane të Informacionit.

//rd//

XS
SM
MD
LG