Lidhje

Industria amerikane e linjave ajrore në krizë - 2003-04-07


Gjatë 18 muajve të fundit, industria ajrore në Shtetet Bashkuara ka pësuar goditje të rënda për shkak të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, luftës në Irak, si dhe epidemisë SARS që ka rënë në disa vende aziatike. Disa analistë thonë se shoqëritë ajrore po luftojnë thjesht për të mbijetuar. Të tjerë thonë se kemi të bëjmë thjesht me një pjesë të ciklit ekonomik.

Rënia ekonomike, terrorizmi, lufta e Irakut dhe epidemia e re SARS e kanë zhytur në krizë industrinë ajrore të botës. Shumë prej shoqërive ajrore në Shtetet Bahskuara po shkojnë dalëngadalë drejt falimentimit, ndërkohë që përballen me pakësimin me 30 për qind të numrit të pasagjerëve, rritjen e çmimit të karburantit dhe problemet e pazgjidhura me sindikatat.

American Airlines, shoqëria ajrore më e madhe e botës, me vështirësi të madhe mundi të shmangë falimentimin nga fundi i marsit të vitit të kaluar, duke siguruar më tepër se 1 miliardë dollarë nga koncesionet e sindikatave. Por kjo kompani, thotë se përsëri i duhet ta shkurtojë koston e operacioneve me 4 miliardë dollarë, veprim që do ta lejonte t’i vazhdonte fluturimet.

Kompania United Airlines, e dyta për nga madhësia në Shtetet e Bashkuara, po kalon vështirësi financiare, që nga koha kur firmosi kontratën e kushtueshme me sindikatat e pilotëve, rreth 3 vjet më parë. Që nga ajo kohë, kjo kompani ndodhet nën mbrojtjen federale prej falimentimit dhe ende përpiqet të shkurtojë koston.

Kompania US-Airways sapo mundi të shmangë rrezikun e falimentimit, por ekzistojnë pasiguri në se kjo kompani do të mund të mbijetojë në afat të gjatë.

Stiv Lot, i revistës “Aviation Daily”, thotë se biznesi e ka të vështirë të rimëkëmbet ndërsa ndeshet me probleme të njëpasnjëshme.

“Shumë shoqëri ajrore kishin shpresa që 18 muaj pas sulmeve të 11 shtatorit ekonomia do të rimëkëmbej, pra që njerëzit përsëri do të kishin filluar udhëtimet. Por ekonomia amerikane nuk u rimëkëmb aspak që nga ajo kohë, udhëtimet nuk rifilluan si më parë, udhëtarët ndoshta nuk ishin në gjendje të pagonin biletat me çmime të rritura. Në se do të bënim një krahasim, shoqëritë ajrore ishin duke u zhytur, kur lufta me Irakun i dha atyre një tjetër shtytje, drejt falimentimit”, thotë analisti Lot.

Ndërsa për kompanitë ajrore Delta dhe Northwest, zoti Lot thotë se ato u detyruan ta pakësojnë numrin e fluturimeve, megjithëse nuk ishin prekur shumë nga kriza ekonomike, për arsye të epidemisë SARS të rrugëve të frymëmarrjes në vendet aziatike. Kompanitë ajrore United dhe Northwest kanë më tepër fluturime në rajonin e Azi-Paqësorit.

Xhon Kasarad, profesor në Universitetin e Karolinës së Veriut, i cili ka ndjekur me kujdes ecurinë e industrisë së aviacionit për 15 vjet me radhë, thotë se shumë nga plagët e kësaj industrie janë shkaktuar me vullnetin e vetë linjave ajrore. Ai thotë se pagat e punonjësve të kësaj industrie u ngritën së tepërmi në vitet ’90, më tepër se në çdo profesion tjetër dhe kostoja e këtij veprimi u pasqyrua në rritjen e çmimit të biletave të pasagjerëve.

Megjithatë, profesor Kasarda thotë se tronditja e vërtetë për industrinë e aviacionit pritet do të ndodhë së shpejti. Ai është i mendimit se shoqëritë ajrore do ta pakësojnë numrin e fluturimeve me 20 për qind dhe se pagat e punonjësve do të ulen, për t’u përshtatur më tepër me pagat e punonjësve të industrive të tjera.

“Pres me bindje që industria e fluturimeve do të rimëkëmbet së tepërmi gjatë 2-3 vjetëve të ardhshëm, por ndoshta jo para vitit 2005. Rimëkëmbja e kësaj industrie do të ndodhë në mënyrë të atillë, që numri i pasagjerëve dhe i mallrave që do të transportohen do të shtohet më tepër se kurrë më parë. Numri i avionëve të pasagjerëve, do të pakësohet, ashtu sikurse edhe numri i fluturimeve, dhe i avionëve privatë. Gjithashtu kanë për t’u zvogëluar përmasat e avionëve. Nga ana tjetër, ka për t’u shtuar numri i avionëve të vegjël, me 50-70 vende dhe këta të fundit do të jenë të mbushur plot. Dihet, që këta lloj avionësh të vegjël janë më të efektshëm. Këtje e tutje pasagjerëve do t’u duhet të udhëtojnë në avionë të mbushur plot dhe me më pak shërbime, por i tillë është procesi i rimëkëmbjes së kësaj industrie”, thotë analisti.

Megjithatë, thotë profesor Kassarda, në se perashikimet janë të sakta, shumë nga faktorët që i dhanë shtytje zhvillimit të industrisë ajrore gjatë periudhës së rrijes së saj në vitet ’90, patjetër do të rishfaqen përsëri dhe kështu do të rifillojë përsëri cikli nga e para. //ax//

XS
SM
MD
LG