Lidhje

Shkup: Presidenti maqedonas falë dy ish-zyrtarë të lartë të  akuzuar për përgjim të paligjshëm - 2003-04-08


Presidenti maqedonas Boris Trajkovski, ka aministuar dhe liruar nga ndjekja penale ish-ministren e brendshme Dosta Dimovska dhe një ish-zyrtar të lartë të ministrisë së brendshme, të cilët akuzoheshin për përgjim të paligjshëm të një numri politikanësh, gazetarësh dhe personash të tjerë publikë. Sipas kabinetit të presidentit, zoti Trajkovski vendosi aministimin e zonjës Dimovska dhe ish-zyrtarit të lartë Aleksandër Cvetkov, duke patur parasysh se kjo çështje po përdorej për qëllime partiake dhe politike dhe se vazhdimi i mëtejshëm i ndjekjes penale mund të dëmtojë sistemin e sigurisë në vend, pasi në këtë rast sulmohet drejtorja e agjencisë për kundër-zbulim. Kabineti i presidentit maqedonas përmend gjithashtu mundësinë e instrumentalizimit të çështjes për qëllime partiake dhe politike dhe përdorim selektiv të saj.

Autoritetet gjyqësore në Shkup patën përfunduar akt-akuzën kundër ish-ministres së brendshme Dosta Dimovska që dyshohej të ishte urdhëruese e përgjimeve të paligjshme dhe kundër Aleksandër Cvetkov si kryerës i tyre. Çështja e përgjimeve të jashtëligjshme ishte hapur në janar të vitit 2001 nga kryeministri i tashëm Branko Cërvenkovski, atëherë në opozitë, i cili kishte paraqitur stenograme përgjimi të bisedave telefonike të politikanëve, intelektualëve, dhe gazetarëve. Ndërkohë, Maqedonia pritet të ndryshojë një ligj që lidhet me kushtet dhe procedurat për vëzhgimin e komunikimit midis njerëzve.

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar ndryshimin e një neni të kushtetutës së vendit, i cili i referohet nevojës për një ligj i cili do të përshkruante kushtet dhe procedurën për përgjimin e bisedave.Ndryshimet përcaktojnë kushtet dhe procedurat për kufizimin e komunikimit si diçka private si dhe mënyrën për mbajtjen dhe përdorimin e të dhënave të marra. Zyrtarët në Shkup thonë se qëllimi i këtyre ndryshimeve është që të krijojë një balancë midis publikut dhe interesit privat. Projektligji i miratuar nga qeveria, i cili praktikisht kërkon legalizimin e përgjimeve, duke pasur mbështetje ligjore për këtë, duhet të kalojë për miratim në parlamentin e vendit. Sipas zyrtarëve, synimi i këtij ndryshimi është forcimi i luftës kundër krimit të organizuar. //ss//

XS
SM
MD
LG