Lidhje

Forcat amerikane bombardojnë një objekt që përdorej nga udhëheqja irakiane - 2003-04-08


Forcat amerikane përparuan sot më tej në Bagdad ndërsa zyrtarët e koalicionit përpiqen të mësojnë për fatin e udhëheqësit irakian Sadam Husein, pas bombardimit të djeshëm.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi në zonën e banimit Mansour të Bagdatit u urdhërua pas informacioneve të zbulimit, sipas të cilave Sadami, dy djemtë e tij dhe zyrtarë të lartë ndodheshin ndoshta në një takim në këtë ndërtesë. Zyrtarët thanë se ndërtesa që u vu në shënjestër u shkatërrua plotësisht nga katër bomba 900 kilogramëshe që u lëshuan nga një avion bombardues amerikan B1. Pamjet e televizionit tregonin ekipet irakiane të shpëtimit që gërmonin në rrënonja. Njoftohet për të paktën dy viktima nga sulmi.

Megjithatë zyrtarët amerikanë në Washington thanë se nuk e dinë me siguri në se Sadami ishte në ndërtesë kur u lëshuan bombat. Ndërkohë komanda qëndrore amerikane tha se marina amerikane ka marrë nën kontroll bazën ajrore ushtarake Rashid të Irakut në pjesën juglindore të Bagdadit. Forcat amerikane kontrollojnë tani dy nga tre aeroportet e kryeqytetit irakian.

Luftimet vazhdojnë sot në qendër të Bagdatit ku forcat amerikane dhe ato irakiane po shkëmbejnë zjarr përreth pallatit presidencial dhe një ndërtese të lartë që përdorej nga qeveria irakiane. Agjencia Associated Press tha se turpat amerikane të mbështetura nga avionët A-10 Warthog iu përgjigjën një sulmi irakian në një kryqëzim në pjesën perendimore të qytetit.

Komanda qëndrore tha se një avion A-10 u rrëzua në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit sot paradite. Një zëdhënës tha se avioni mund të jetë goditur nga një raketë tokë ajër. Piloti doli me parashutë dhe u shpëtua nga forcat e koalicionit në afërsi të aeroportit. Ministri irakian i Informacionit Mohammed Saeed al-Sahaf foli me gazetarët sot në Bagdad dhe përsëri deklaroi se forcat amerikane do të mposhten. Ai tha se forcat amerikane do të dorëzohen ose do të digjen në tanket e tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG