Lidhje

Kalendari Historik 8 prill - 2003-04-08


Më 8 prill të vitit 1935 kongresi amerikan miratoi Administratën e Përparimit të Punës, të njohur me inicialet ”W-P-A”. E krijuar nga presidenti Franklin Roosvelt për të lehtësuar vështirësitë gjatë kohës së të ashtuquajturës Krizë e Madhe, ky program punësoi më shumë se 8,5 milionë njerëz deri para se të shpërbëhej në vitin 1943. Projekti i Shkrimtarëve Federalë ishte njëri prej disa elementëve të programit, i ngritur për të punësuar njerëz të talentuar në arte.

Një trashëgimi tjetër e kësaj nisme ishin regjistrimet e historive të jetës së më shumë se 10 mijë njerëzish nga një larmi zonash, profesionesh dhe grupesh etnike. Administrata sponsorizoi edhe Projektin mbi Teatrin, i cili punësoi aktorë, muzikantë, aktorë estrade dhe teknikë teatri, të gjithë të papunë, për të përgatitur dhe shfaqur pjesë klasike dhe moderne, përfshirë vënien në skenë të tragjedisë Makbeth. Megjithatë, politika e financimit nga qeveria të prodhimeve teatrale shkaktoi kundërshtime prandaj kongresi ndërpreu atë në vitin 1939. Më 8 prill 1893 lindi aktorja dhe producentja e filmave pa zë, Mary Pickford. Me fytyrën e saj ëngjëllore dhe flokët e gjata e të arta, ajo mori emrin ”Vajza e Dashur e Amerikës” dhe u bë aktorja më popullore në historinë e filmit amerikan. Mary Pickford lindi në Toronto të Kanadsë, ku qysh fëmijë filloi të luajë nëpër teatro. Në vitin 1907, kur ishte 14 vjeç, ajo arriti të bindë regjisorin e Broadway-t David Belasco, që t’i jepte asaj një rol kryesor në njërën prej pjesëve të tij. Pas dy vjetësh, ajo u lidh me një regjisor filmash i cili i dha asaj role në disa filma pa zë të cilët u bënë të njohur në atë kohë.

Pickford kishte një pamje naive por në fakt ajo ishte edhe një biznesmene e shkathët. Në vitin 1916, ajo arriti të fitojë 10 mijë dollarë në javë si aktore, një pagë kjo e paparë deri atëhere. Në vitin 1916, së bashku me aktorët Charlie Chaplin dhe Douglas Fairbanks - që ishte edhe burri i saj - ajo krijoi kompaninë United Artists, një nga studiot e para që u jepte aktorëve kontroll të plotë artistik dhe financiar mbi filmat e tyre. Megjithëse ishte shumë krijuese në idetë e saj, publiku e shihte atë thjesht si stereotipin e një vajze të bukur dhe joshëse. Mary Pickford u tërhoq nga jeta e filmit qysh në vitin 1933. Ajo vdiq më 29 maj 1979 në Santa Monica të Kalirnisë në moshën 87 vjeçare.

XS
SM
MD
LG