Lidhje

Zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se lufta në Irak nuk ka përfunduar - 2003-04-09


Irakianët kërcenin nëpër rrugë dje, pasi rregjimi diktatorial disa dekadash i Saddam Husseinit mori fund, por zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se lufta në Irak nuk ka përfunduar. Irakianët lëshuan thirrje falenderimi për Presidentin Bush dhe mallkuan Saddamin, ndërsa tanket amerikane zunë pozicione përreth Bagdadit.

Marinsat i ndihmuan banorët vendas të rrëzonin një statujë të madhe të Saddam Husseinit. Irakianët kërcenin mbi statujë dhe shkelnin me këmbë kokën e saj pasi ajo u rrëzua nga piedestali. Disa qytetarë u ulën mbi kokën e statujës, kur ajo po tërhiqej nëpër rrugë. Ata gjithashtu pështynë dhe dogjën fotografi të Saddamit, akte që vetëm disa javë më parë mund t’i kishin dërguar ata përpara skuadrave të ekzekutimit ose në dhomat e torturave.

Sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfed tha se skenat e të mërkurës i kujtuan rrëzimin e Murit të Berlinit dhe shtoi se Saddami ka zënë tani vendin që i takon krahas Hitlerit, Stalinit, Çausheskut dhe diktatorëve të tjerë brutalë të dështuar. Por zoti Rumsfeld paralajmëroi se shumë luftime të tjera do të zhvillohen në Irak dhe shumë qëllime mbeten për t’u realizuar.

Ai tha se ndër to përfshihen marrja nën kontroll e qytetve irakiane, mësimi i të vërtetës për Saddam Husseinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë irakianë, gjetja e robërve amerikanë të luftës si dhe robërve të vendeve aleate, sigurimi i fushave të naftës në veri të vendit dhe gjetja e armëve të shkatërrimit në masë. Pentagoni thotë se dhjeta mijra ushtarë irakianë janë ende në veri, duke përfshirë të paktën edhe një brigadë të Gardës Republikane.//ic//

XS
SM
MD
LG