Lidhje

Reagime kontradiktore në Bagdat - 2003-04-09


Bagdati është qyteti nga vijnë pamje në kontrast të thellë me njëra-tjetrën: në disa lagje njerëzit kërcejnë në rrugë, ndërsa në zona të tjera vazhdojnë luftimet. Komandantët ushtarakë amerikanë thonë se ende ka qendra rezistence, por Sadam Huseini nuk është më në kontroll të qytetit mbi të cilin dikur sundonte me dhunë.

Emocionet e ndrydhura gjatë viteve të shtypjes këto ditë kanë shpërthyer në rrugët e Bagdatit, ku irakianët e gëzuar festojnë duke kërcyer e brohoritur dhe duke shfytyruar portretet e Sadam Huseinit.

Me dhjetëra irakianë të hipur në kamionë dhe makina lëviznin në qytet me flamurë irakianë dhe armë në duar.

Garda Republikane, forcat e rendit dhe të sigurimit të brendshëm nuk dukeshin gjëkundi.

Turma të mëdha morën çfarë mundën nga ndërtesa qeveritare dhe zyrat e partisë Baath në disa zona të kryeqytetit, ndërsa të tjerët përshëndetën me një pritje të ngrohtë trupat e koalicionit.

Siç njoftohet, festimet më të hareshme u organizuar në lagjen shiite të njohur si Qyteti Sadam në verilindje të Bagdatit.

Në qendër të Bagdatit, një statujë e madhe e Sadamit u rrëzua nga turma me ndihmën e marinsave amerikanë, në një skenë që, me sa duket do të shndërrohet në pamjet identifikuese të operacionit Iraku i Lirë.

Reagimi ishte disi më i qetë në pjesën perëndimore të qytetit ku korrespondentja e Zërit të Amerikës Alisha Ryu vazhdon të udhëtojë me trupat amerikane: "Duket se njerëzit tani janë bindur disi se Sadam Huseini është rrëzuar nga pushteti, për të mos thënë është vrarë. Disa njerëz këtu ndjehen të çliruar se regjimi ka marrë fund. Ata me ngurim, pa ndonjë shfaqje të shfrenuar gëzimi në rrugë, po festojnë në pjesë të ndryshme të qytetit" thotë korrespondentja.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane e kanë shtuar tani kryeqytetin Bagdat në listën e qendrave ku regjimi i Sadam Huseinit nuk gëzon më kontroll.

Gjenerali Vincent Brooks informoi gazetarët në selinë e Komandës Qendrore në Katar: "Sot regjimi është çorganizuar dhe një pjesë e madhe e Irakut është çliruar pas vitesh shtypjeje. Televizionet në mbarë botën po transmetojnë pamje të irakianëve që festojnë, pasi e dinë se regjimit po i vjen fundi, tha zoti Brooks.

Nënpresidenti Dick Cheney u tha një grupi redaktorësh për gazetat në New Orleans se forcat amerikane synojnë të rrëzojnë autoritetet qendrore të regjimit, megjithëse shtoi se mund të ketë luftime të ashpra përpara.

Faktikisht, ndërkohë që në rrugët e Bagdatit njerëzit festonin, gazetarët që shoqërojnë trupat njoftuan se luftime të ashpra vazhdojnë në pjesë të tjera të qytetit, veçanërisht në afërsi të Universitetit të Bagdatit.

Gjenerali Brooks tha se forcat e koalicionit vazhdojnë të ndeshen me banda besnikësh të Sadamit të gatshëm për të luftuar dhe për të vdekur për regjimin: "Mendoj se do të shohim rifillimin e një pjese të mirë të veprimtarisë normale dhe kemi bindjen se kjo është mënyra e duhur për të vepruar. Ende mbetet punë për të bërë, dhe megjithëse jemi të kënaqur me përpjekjet tona deri tani, e kemi të qartë se mbetet ende një punë e madhe, në mënyrë që të vazhdojmë të përparojmë në këtë drejtim tha gjenerali Brooks.

Trupa të tjera amerikane dhe tanke u futën në qendër të Bagdatit dhe po forcojnë pozicionet e tyre pas një fare qetësie që u vërejt mbrëmë. Kjo po u jep mundësi trupave të koalicionit, si ky marins amerikan, të bëjnë një pushim nga luftimet: "Do të bëjmë një pushim, të hamë pak dhe nesër do të nisemi. Çdo ditë në Bagdat është një ditë e madhe për ne. Prandaj do të përpiqemi të pushojmë sa të mundemi kur na jepet rasti dhe do të vazhdojmë më pas.

Në Irakun Verior, trupat amerikane për operacionet speciale dhe luftëtarët kurdë morën nën kontroll një kodër strategjike në afërsi të qytetit Mosul.

Vëmendja e koalicionit është përqendruar gjithashtu në qytetin verior të Tikritit, vendlindja e Sadam Husenit, ku përkrahësit e regjimit mund të jenë duke u përgatitur për një qëndresë të fundit.

Gjenerali Brooks thotë se forcat amerikane po përpiqen të shkatërrojnë komandën dhe aftësitë e kontrollit të regjimit në qytetin Tikrit dhe përreth tij, por ai nuk pranoi të thoshte se kur forcat e koalicionit mund ta fillojnë sulmit kundër qytetit.

//rd//

XS
SM
MD
LG