Lidhje

Ankaraja e shqetësuar nga kontrolli kurd në Kirkuk - 2003-04-10


Vënia nën kontroll e qytetit irakian Kirkuk nga luftëtarët kurdë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara si edhe përparimi drejt Mosulit ka ringjallur shqetësimet e Turqisë për hapa të mundshme drejt pavarësisë nga ana e kurdëve.

Ministri i Jashtëm turk Abdullah Gul tha sot se Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell e siguroi se forcat amerikane do t’i largonin luftëtarët kurdë nga Kirkuku dhe në qytetin e pasur me naftë do të dërgohen së shpejti trupa amerikane. Ai tha gjithashtu se Ankaraja do të dërgojë vëzhgues ushtarakë në Irakun verior për t’u siguruar që luftëtarët kurdë do të tërhiqen nga Kirkuku.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Flaisher u tha sot gazetarëve se Kirkuku do të jetë nën kontrollin e forcave amerikane. Turqia ka frikë se një shtet i ri kurd në Irak mund të nxisë një kryengritje separatiste mes popullsisë së vet kurde.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se administrata e Presidentit Bush ka patur kontakte me zyrtarët turq, si edhe me udhëheqës kurdë për të sqaruar shqetësimet se nga kush do ta qeveriste Kirkuku.

Zoti Fleischer thotë se trupat amerikane do ta kontrollojnë qytetin e pasur me naftë, së bashku me milicinë kurde dhe një grup vëzhguesish turq që pritet të shkojnë atje.

Kirkuku u dorëzua sot pas një ofensive të udhëhequr nga kurdët. Turqia druhet se kontrolli kurd mund të nxiste një lëvizje separatiste mes kurdëve në anën tjetër të kufirit, në Turqinë jugore. Ankaraja paralajmëroi përsëri se një përpjekje kurde për një kontroll të vazhdueshëm në Kirkuk, do të ishte e papranueshme.

Që nga fillimi i luftës në Irak, administrata e presidentit Bush është përpjekur të zbusë shqetësimet turke lidhur me aleancën e saj me kurdët në Irakun verior. Kurdët e Irakut kanë patur një autonomi të zgjeruar që nga Lufta e Gjirit e vitit 1991 dhe caktimi i zonave të ndalim fluturimit, përforcuar nga kontrollet ajrore amerikane.

//rd//

XS
SM
MD
LG