Lidhje

Vazhdojnë luftimet në Bagdat - 2003-04-10


Trupat amerikane po zhvillojnë sot luftime në zona të ndryshme të Bagdatit kundër disa forcave irakiane që kanë mbetur ende në qytet dhe po paraqesin rezistencë.

Një zëdhënës i forcave të koalicionit në Katar tha se një marins u vra dhe 20 të tjerë u plagosën gjatë luftimeve të ashpra në afërsi të një xhamie në pjesën veriperëndimore të Bagdatit. Zëdhënësi tha se forcat amerikane hynë në këtë zonë pas informacioneve se drejtues të regjimit po përpiqeshin të organizonin një takim atje.

Veç luftimeve pranë xhamisë, ka patur përleshje edhe në brigjet veriore të lumit Tigër dhe në një zonë tjetër në verilindje të Bagdatit.

Dje turma të gëzuara irakianësh dolën duke festuar nëpër rrugë dhe rrëzuan një statujë të madhe brej bronxi të Sadam Huseinit në qendër të Bagdatit. Më pas banorët filluan të kërcenin mbi të, e copëtuan dhe e tërhoqën zvarrë në rrugët e qytetit.

Shumë irakianë morrën masa mbrëmë gjatë natës për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të frikësuar se plaçkitjet që u vunë re gjatë ditës të zyrave qeveritare, të partisë Baath dhe të kompleksit të OKB-së do të shtriheshin edhe nëpër shtëpitë e banorëve.

Në Kombet e Bashuara në Nju Jork, ambasadori i Irakut Mohamed Al-Duri e pranoi se Sadam Huseini e ka humbur kontrollin e Bagdatit. Ambasadori u shpreh dje se “loja mbaroi”, duke nënkuptuar luftën dhe shtoi se shpreson që në vendin e tij do të kthehet paqja.

Këtu në Uashington zyrtarët thanë se ngjarjet e djeshme ishin një kthesë e papritur dhe dramatike. Megjithatë ata paralajmëruan se lufta nuk ka përfunduar ende.

XS
SM
MD
LG