Lidhje

Udhëheqësit e Shqipërisë përsërisin përkrahjen për rolin e SHBA në Irakun e pas luftes - 2003-04-11


Deklarata përfundimtare e takimit të nivelit të lartë të nismës së vendeve të Evropës Juglindore në Beograd dy ditë më parë, në të cilën njihej roli parësor i OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, për çështjen e Irakut, duket se krijoi një konfuzion lidhur me qëndrimin e Shqipërisë. Kjo, për shkak të pozicionit të qartë të Tiranës në krah të Shteteve të Bashkuara.

Që nga kreu i shtetit, Alfred Moisiu, deri Kryeministri Fatos Nano e Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, saktësuan edhe një herë se Shqipëria nuk ndryshon asgjë nga përkrahja ndaj Shteteve të Bashkuara. Këtë e përsëriti sot edhe Zëvendëskryeministri dhe shefi I diplomacisë shqiptare Ilir Meta, pas një telefonate që ai pati dje me Sekretarin amerikan të Shtetit. Kolin Pauell.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht dhe pa rezervë koalicionin, – tha zoti Meta. - Përsa i përket rolit të OKB-së, dua të theksoj se nuk ka ndonjë kontradiktë ndërmjet qëndrimit tonë dhe deklaratës së Beogradit. Vetë presidenti Bush dhe kryeministri Bler, edhe në samitin e fundit të Belfastit, u shprehën për një rol të rëndësishëm të OKB në Irak.”

Edhe presidenti Moisiu gjatë takimit të djeshëm me ambasadorin amerikan James Jeffry ka rikonfirmuar faktin se për Shqipërinë, SHBA duhet të kenë një rol parësor në këtë fazë.

"Pas SHBA, - ka deklaruar presidenti Moisiu, - edhe faktorët e tjerë, veçanërisht OKB-ja, duhet të kenë rolin e tyre." Shqipëria është ndër vendet që u rreshtua pa asnjë mëdyshje në krah të SHBA dhe aleatëve të tyre për luftën kundër regjimit të Sadam Hyseinit, duke ofruar bazat e saj, lehtësirat ajrore si dhe një njësi komandosh, që së shpejti pritet të shkojnë në Gjirin Persik.// lk //

XS
SM
MD
LG