Lidhje

Angazhimi amerikan: faktor stabiliteti në Ballkan - 2003-04-11


Tani që Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në konfliktin në Irak dhe në luftën globale kundër terrorizmit, duket se Ballkani nuk është më ndër temat kryesore të politikës së jashtme amerikane. Por, në një seancë me pyetje përgjigje para Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, një grup analistësh theksuan se angazhimi amerikan i shërben jo vetëm vazhdimit të reformave dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë, por edhe vetë sigurisë së Shteteve të Bashkuara, duke i prerë rrugën shtrirjes së rrjeteve terroriste botërore në këtë rajon.

Ligjvënësi Eliot Engel, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet mbi Marrëdhënie me Jashtë, theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të harrojnë interesat e tyre të rëndësishme në Evropë dhe investimet e shumta që kanë bërë për të mos lejuar përsëritjen e luftrave të viteve ’90 në Ballkan.

Por puna nuk ka përfunduar ende, vazhdoi ai. Në Serbi, u desh vrasja e kryeministrit Xhinxhiç për të treguar se pas fasadës së reformave ende gjallojnë elementët kriminalë mbi të cilët mbështetej regjimi i Millosheviçit.

Një tjetër sfidë, vazhdoi ligjvënësi, është zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës:

“Siç e dinë anëtarët e këtij nënkomisioni, unë përkrah me forcë pavarësinë e Kosovës. Është e rëndësishme që të mos shtyhet së tepërmi diskutimi i këtij statusi. Shumë banorë të Kosovës janë pa punë dhe e shohin Beogradin dhe evropianët si pengesë ndaj kërkesës së tyre për vetvendosje dhe nuk shohin shumë shpresa. Kur s’ka shpresë, elementët negativë marrin kontrollin,” tha ligjvënësi.

Zoti Engel paralajmëroi shqiptarët të tregohen të përmbajtur për të shmangur akte hakmarrjeje kundër serbëve.

Edhe Drejtori i Nismës për Ballkanin pranë Institutit Amerikan të Paqes, Daniel Serwer theksoi nevojën e angazhimit amerikan për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Diskutimet për zgjidhjen përfundimtare, tha ai, duhet të fillojnë brenda vitit 2004, përndryshe rreziku i paqëndrueshmërisë do të rritet, do të shtohet kërcënimi ndaj forcave reformiste në Serbi dhe do të ngadalësohen proceset për integrimin evropian si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Një tjetër drejtim që kërkon angazhim amerikan, theksoi zoti Serwer, është vendosja e shtetit ligjor në të gjithë Ballkanin. Për këtë kërkohet dërgimi i të akuzuarve për krime lufte në Hagë. Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejtë interesat e Shteteve të Bashkuara, për të mos lejuar që ky territor të bëhet pikë kalimi për terroristët ndërkombëtarë.

Gjenerali në pension William Nash përshëndeti arritjet e deritanishme në Ballkan, duke theksuar se dhuna etnike e viteve ’90 është tani një fenomen i së kaluarës. Por ai vuri në dukje rreziqet e reja që kërcënojnë reformat e filluara në Ballkan. Zoti Nash theksoi nevojën për të luftuar sindikatat politiko-kriminale, siç u shpreh ai, të cilat po rrezikojnë zhvillimin e demokracisë dhe të tregjeve të lira në rajon.

“Ne i bëjmë thirje Misioneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë të zhvillojnë fushata kundër individëve dhe grupeve të përfshira në lidhjet e paligjshme të qeverive dhe pushtetit financiar. Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbështesin me forcë këto përpjekje në bashkëpunim me aleatët e tyre evropianë,” tha zoti Nash.

Ai theksoi se e ardhmja e Ballkanit është në Evropë, si nga pikëpamja e integrimit të këtij rajoni në strukturat dhe institucionet evropiane, ashtu edhe nga interesat e përbashkëta. Kjo, vazhdoi ai, nuk nënkupton se Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga angazhimet e tyre në Ballkan, por se është në interes të Amerikës të marrë përsipër një rol përkrahës dhe jo dominues në ristrukturimin e Evropës juglindore.

Ndërkaq, zoti Serwer e cilësoi mungesën e besueshmërisë së disa popujve të Ballkanit, ku ai veçoi shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, si sfidën kryesore ndaj angazhimit më të madh të Bashkimit Evropian në çështjet e Ballkanit. Ai i bëri thirje Bashkimit Evropian që të heqë dorë prej qëndrimit ndaj Ballkanit si një rajon i largët që duhet të stabilizohet dhe ta shohë atë si një rajon fqinj që në të ardhmen do të jetë pjesë e këtij bashkimi. //ad//

XS
SM
MD
LG