Lidhje

Beteja për Tikritin - 2003-04-11


Komandantët e ushtrisë amerikane thonë se forcat irakiane mund të përpiqen të bëjnë një qendresë të fundit në Tikrit, vendlindja e Saddam Husseinit dhe njëri prej qyteteve të mëdha irakiane që ende nuk ka rënë në duart e forcave të koalicionit. Banda ushtarësh irakianë u diktuan duke shkuar drejt këtij qyteti në veri të Bagdadit dje.

Aeroplanët amerikanë kanë bombarduar vazhdimisht pozicionet e Gardës Republikane përreth Tikritit, por zyrtarët ushtarakë thonë se nuk është e qartë nëse këto forca irakiane që kanë mbetur do të jenë në gjendje ta mbrojnë qytetin.

Forcat tokësore amerikane në Irakun verior ndodhen më pak se 100 kilometra larg nga Tikriti, pasi trupat irakiane braktisën qytetet veriore, Kirkuk dhe Mosul. Sipas lajmeve vetëm një numër i vogël trupash amerikane kanë hyrë në këto qytete dhe banorët janë duke vandalizuar gjithçka u del përpara.

Në pjesën perëndimore të Irakut, zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se irakianët vazhdojnë të luftojnë në qytetet al-Qaim, në kufirin me Sirinë. Zyrtarët thonë se dyshojnë se irakianët po mbrojnë një vend ku janë magazinuar disa lloj armësh të ndaluara.

Ndërkaq, në komentet e tij të para që nga rënia e Bagdadit, Presidenti Bush tha dje se nuk e di nëse Saddam Husseini është i gjallë apo ka vdekur. Por zoti Bush tha se di një gjë me siguri se Saddami nuk është më në pushtet. Presidenti Bush shtoi se lufta në Irak do të marrë fund kur gjenerali Tommy Franks, komandanti i forcave të koalicionit, thotë se objektivat janë plotësuar. Ai nuk dha hollësi të mëtejshme.//ic//

XS
SM
MD
LG