Lidhje

Kalendari Historik 10 prill - 2003-04-11


Më 10 prill të vitit 1942, rreth 75 mijë ushtarë amerikanë dhe filipinas, të zënë rob nga japonezët në ishullin Luzon të Filipineve, u vunë në radhë me detyrim dhe u urdhëruan të fillonin atë që njihet “Marshimi i Vdekjes në Batan.” Amerikanët dhe Filipinasit përbënin njësitë që kishin mbetur në Luzon, kur japonezët pushtuan Filipinet më 10 dhjetor të vitit 1941. Në bazë të planit të gjeneralit MacArthur për t’u mbrojtur nga forcat japoneze të mëdha në numër, kërkohej një tërheqje e kujdesshme për në zonat me pyje të dendura të gadishullit Bataan. Japonezët filluan t’i zhvendosnin robërit e luftës rreth 100 kilometra drejt një nyjeje hekurudhore për t’i transportuar ata në kampet e robërve të luftës. Disa prej tyre u arratisën gjatë rrugës, por shtatë deri në 10 mijë prej tyre vdiqën rrugës për shkak të sëmundjeve, plagëve, urisë dhe brutalitetet japonez. Marshimi i vdekjes në Batan, i acaroi së tepërmi amerikanët dhe u bë shkak për forcimin e vendosmërisë së tyre për ta mundur Japoninë.

Më 10 prill 1847 lindi në Hungari botuesi Joseph Pulitzer, i cili ndërtoi perandorinë e gazetave dhe të revistave në Shtetet e Bashkuara. Ai imigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 17-vjeçare dhe punoi pa ndërprerë derisa u bë njëri prej njerëzve më të pasur të Amerikës. Njëri prej organeve të tij me emër, “Post-Dispatch” i qytetit Saint Louis, ishte i njohur për njoftimet e tij lidhur me korrupsionin politik dhe krimin. Pulitzer bleu më vonë gazetën e New Yorkut “The World” dhe punësoi gazetarët më të talentuar. Përmes ilustrimeve dhe karikaturave, ai bëri që të rritej interesi i lexuesve për gazetën. Synimi i tij ishte përfshirja në faqet e saj e lajmeve dhe e komenteve në mënyrë që t’i bënte ato aq imponuese, sa çdo amerikan të dëshironte t’i lexonte. Ai kërkoi të përjetësonte gazetarinë cilësore, kështu që me vullentin e tij krijoi një fond për ngritjen e një shkolle pasuniversitare për gazetarinë në Columbia University në New York. Joseph Pulitzer themeloi gjithashtu Çmimin Pulitzer, për të nderuar gazetarë, shkrimtarë dhe muzikantë. //ad//

XS
SM
MD
LG