Lidhje

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, në Beograd - 2003-04-11


Pas takimit të sotem me kryetarin e Bashkësisë shtetërore Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviq, përfaqësuesi i BE, Havier Solana, ka shprehur këneqësi për angazhimet që po bën Beogradi zyrtar për të hyrë në Evropë. Maroviq ka shfaqur shpresën se integrimi i Serbisë dhe Malit të Zi në Evropë do të jetë një nga temat kryesore të takimit të nivelit të lartë të pesëmbëdhjetshes evropiane, në Selanik, në muajin qershor.

Harmonizimi i sistemeve ekonomike të Serbisë e Malit të Zi, që është dashur të përfundojë më 31 mars, ka qenë tema e bisedimeve të mbrëmshme të zotit Solana me zyrtarët e Beogradit. Zoti Solana ka thënë se BE i kushton rëndësi të madhe harmonizimit të sistemeve ekonomike të Serbisë e Malit të Zi, dhe hartimit të Planit Aksional, që është domethënës edhe për ndihmën financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ai ka nënvizuar se do të bëhën përpjekje nga të gjithë, që bashkësia serbomalazeze të funksionojë, dhe ky projekt të mos dështojë.

Kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq thotë se afati për harmonizimin e këtij procesi është shtyrë deri më 30 prill, për shkak të dallimeve në sistemet ekonomike e doganore midis Serbisë e Malit të Zi, dhe ka shfaqur bindjen se kjo do të realizohet në afatin e shtyrë, kur duhet të miratohet edhe plani aksional.

Kurse ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe Malit të Zi, Borisa Tadiq, tha se bashkëpunimi i Beogradit me Gjykatën e Hagës është kusht i fundit për pranimin e vendit në Partneritet për Paqe. Ai theksoi se hyrja në Partneritet është prioritet i politikës së jashtme të Beogradit, sepse kjo është me rëndësie edhe për reformimin e ushtrisë dhe të sistemit të përgjithshem të mbrojtës. Tadiq tha se zoti Solana ka premtuar ndihmën personale dhe se do të dërgojë këshilltarin e vet, i cili do të ndihmojë në reformimin e ushtrisë dhe të sistemit të mbrojtjes.

Përfaqëseusi i lartë i BE, Havier Solana ka biseduar edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nënkryeministrin e Serbisë, Nebojsha Çoviq dhe Ministrin e Jashtëm të Bashkësisë serbomalazeze, Goran Svillanoviq.// lk //

XS
SM
MD
LG