Lidhje

Irak: bie Mosuli - 2003-04-11


Qyteti më i madh i Irakut verior, Mosuli, u dorëzua pa luftime dhe forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara po e drejtojnë tani vemendjen te vendlindja e Saddam Husseinit, Tikrit, qyteti i fundit i madh nën kontrollin irakian.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se forcat e koalicionit po e sulmojnë intensivisht Tikritin nga ajri si përgatitje për një ndërhyrje që mund të ndërmarrin nga toka. Mendohet se disa udhëheqës irakianë kanë shkuar atje nga Bagdati dhe nga qytete të tjerë.

Në Mosul, zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se e gjithë armata e pestë e ushtrisë së rregullt irakiane është dorëzuar.

Sipas një zëdhënësi amerikan, zyrtarët ushtarakë po vendosin tani nëse ushtarët irakianë do të mbahen si robër lufte apo do të lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Menjëherë sapo luftëtarët kurdë, në bashkëpunim me forcat speciale amerikane morën nën kontroll Mosulin, ndërtesat qeveritare të qytetit u bënë pre e plaçkitjeve.

Ndërkohë, në Bagdat vazhdojnë luftimet sporadike midis trupave amerikane dhe mbeturinave të milicisë së çrregullt besnike të regjimit të Saddam Husseinit. Në kryeqytetin irakian njoftohet gjithashtu për plaçkitje të mëdha. Një numër plaçkitësish janë vrarë me armë zjarri nga pronarët e dyqaneve.

Komandanti i forcave të koalicionit në Irak, gjenerali Tommy Franks, thotë se udhëheqja irakiane ose është asgjësuar ose ndodhet në arrati.//ii

XS
SM
MD
LG