Lidhje

Maqedoni: Banorët e tri fshatrave paralajmërojnë se nuk do t’i njohin institucionet e vendit - 2003-04-12


Bashkësitë lokale të fshatrave kufitare të Maqedonisë me Kosovën, Tanushë, Brezë dhe Malinë, kanë paralajmëruar se që prej së shtunës nuk do t'i njohin institucionet e vendit, sepse ata nuk po trajtohen si qytetarë të këtij vendi, sic thonë ata.

Banorët e këtyre fshatrave kërkojnë që të zgjidhet problemi i dokumentave të tyre personale, nënshtetësisë së Maqedonisë, pasaportave, të cilat ende pjesa më e madhe nuk i ka, po kështu heqja e pikave të kontrollit të ushtrisë në këtë brez kufitar, ndërtimi i rrugës për në këto fshatra dhe hapja e një zyre të vetëqeverisjes vendore.

Ministria e brendshme ka thënë se ka mirëkuptim për problemin e këtyre banorëve, por thotë se u ka kërkuar atyre ta zgjidhin këtë cështje në përputhje me procedurën ligjore, të paraqesin dokumentat e duhura për të marrë dokumentat personale, sipas ligjeve të vendit.

Ministria e mbrojtjes ka hedhur poshtë kërkesën e banorëve për heqjen e pikave të kontrollit të ushtrisë dhe ka thënë se në këtë zonë janë dërguar më shumë profesionistë ushtarake shqiptarë, si një masë për rritjen e mirëbesimit.

Po kështu, ministria e mbrojtjes ka thënë se pritet të hapet pika e re kufitare në Kodra Furra dhe se një ekip mjekësh i spitalit ushtarak, është dërguar në zonë për t'u kujdesur për problemet që kanë banorët.

Problemi i dokumentave personale për banorët e këtyre tre fshatrave në kufirin midis Maqedonisë dhe Kosovës vazhdon prej kohësh. Kjo zonë në brezin kufitar në pjesën veriore të vendit, ishte vendi nga nisi konflikti i armatosur në vitin 2001 ndërkohë që pjesa kufitare në këtë zonë, ka qenë në qendër të debateve pas nënshkrimit të marrëveshjes për vijën kufitare midis Shkupit dhe Beogradit.//kk//

XS
SM
MD
LG