Lidhje

Kosovë: Shpërthim i fuqishem në veri, pjesët e një kufome gjenden pranë vendit te ngjarjes - 2003-04-12


Zyrtarët e Policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, njoftuan të shtunën për një shpërthim të fuqishëm në pjesën veriore të Kosovës, ku janë gjetur edhe pjesët e trupit të një njeriu. Ata thanë se persona të panjohur, kanë shkatërruar urën hekurudhore në vendin e quajtur Lozishtë, rreth katër kilometra larg komunes së Zveçanit, një zonë kjo e banuar me popullatë serbe.

Zyrtarë të policisë thanë se në afërsi të vendit të ngjarjes, është gjetur një kufomë e shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm. Policia beson, se mjeti shpërthyes, është vendosur qëllimisht, por ende nuk dihet asgjë për motivet e mundshme të këtij veprimi. Kjo ështe hera e dytë që mjete shpërthyese vendosen në të njëjtin vend.

Zyrtarë e policisë thanë se po zhvillohen hetime të hollësishme për të ndriçuar këtë rast, që ka ndodhur në një periudhë të shtimit të përpjekjeve për të krijuar një mjedis më të sigurt në Kosovë.

Zëvendësadministratori i Kosovës, Charles Brayshaw, tha të shtunën se siguria dhe rendi e ligji janë pjesë e standardeve për Kosovën të përcaktuara nga shefi i tij Michael Steiner. Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie të diplomimit të një brezi të ri të Shërbimit Policor të Kosovës. Ai tha me kete rast se policia e Kosoves është e vendosur që të krijojë një mjedis të sigurtë per të gjithë qytetaret e saj.

“Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të jetojnë në një mjedis tolerant dhe demokratik, që mbrohet nga ligjet”, tha zoti Brayshaw duke nënvizuar se “standardet e përcaktuara nga shefi I UNMIK-ut nuk janë mashtrim por janë themel i një ardhmërie më të mire”. Ai tha se Shërbimi Policor i Kosovës është shumëkombësh dhe kjo dëshmon se Kosova po ecën drejt demokratizimit.

Zoti Brayshaw, duke bërë një paralelizëm mes Kosovës dhe Irakut tha se “populli i Kosoves më së miri i kupton vuajtjet nga diktatorët” dhe shprehu bindjen e tij se vuajtjet e irakianeve do të përfundojnë shpejt, ashtu si edhe ato të qytetarëve të Kosovës në vitin 1999. //kk//

XS
SM
MD
LG