Lidhje

Bush: Ankthi i sundimit të Sadam Huseinit në Irak po merr fund - 2003-04-12


Presidenti Bush thotë se Sadam Huseini e ka humbur pushtetin në Irak dhe se trupat amerikane po marrin masa për të mbushur boshllëkun duke forcuar sigurinë dhe duke furnizuar banorët me ushqime e ilaçe.

Mirëpo, vala e plaçktijeve vazhdon në Bagdad dhe në zona të tjera. Presidenti Bush tha se me kalimin e sundimit të Sadam Huseinit në histori, bota do të ketë gjithmonë në mendje pamjet e para të kësaj jave të një kombi të çliruar nga dekada të tëra tiranie e frike.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush përshëpndeti rënien e Bagdadit, por në të njëjtën kohë paralajmëroi se trupat e koalicionit mund të përballen me luftime të ashpra me besnikë të Sadam Huseinit përgjatë kufirit me Sirinë dhe në Trikrit, qyteti i Lindjes i diktatorit irakian.

“Ankthi i sundimit të Sadam Huseinit në Irak po merr fund. Së shpejti, populli i mirë dhe i talentuar irakian do të jetë i lirë të zgjedhë udhëheqës, që respektojnë të drejtat e tij dhe pasqyrojnë karakterin e vërtetë të popullit irakian. Irakianët, theksoi presidenti Bush, do të kenë vullnetin e mirë të popujve të gjithë botës dhe miqësinë e popullit amerikan”, tha Presidenti Bush.

Franca, Rusia dhe Gjermania kërkojnë që Kombet e Bashkuara të luajnë rol udhëheqës në procesin e rindërtimit të Irakut. Udhëheqësit e të tre vendeve e theksuan këtë gjatë takimit të tyre të nivelit të lartë në qytetin Shën Petersburg që përfundoi sot.

Gjatë takimit të tyre të kësaj jave në Iralnadën e Veriut, Presidenti Bush dhe kryeministri britanik, Toni Blair, ranë dakord që Kombet e Bashkuara do të luajnë rol të rëndësishëm, por kryesisht në kuadër të përpjekjeve humanitare.

Roli udhëheqës u përket vendeve që morën pjesë në luftime, të cilat, siç theksoi Presidenti Bush, po ndërmarrin hapat për forcimin e sigurisë dhe për të ndihmuar në themelimin e një autoriteti kalimtar irakian që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. “Ndërkohë që regjimit irakian të frikës po i jepet fund, irakianët kanë filluar të shfaqin shpresat e tyre të vërteta. Asnjeri nuk duhet të çuditet e irakianët, si të gjithë popujt e tjerë, urrejnë shtypjen dhe mirëpresin lirinë e tyre. Asnjeri nuk duhet të çuditet, theksoi Presidenti Bush, se në çdo komb dhe në çdo kulturë, zemra njerëzore dëshiron të njëjtat gjëra të mira: dinjitetin, lirinë dhe mundësinë për të krijuar një jetë më të mirë”.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se në reagimin e tij ndaj rrëzimit të Sadam Huseinit nga pushteti, Presidentit Bush u tregua shumë i përmbajtur për shkak të mundësisë së humbjeve të tjera në radhët e forcave të koalicionit ndërkohë që luftimet vazhdojnë.

Trupat amerikane po përgatiten të sulmojnë bazën e fundit të rëndësishme të besinkëve të Sadam Huseinit në Tirkrit, qyteti i lindjes së diktatorit, rreth 150 kilometra në veri të Bagdadit, pasi avionët amerikanë bombarduan për disa ditë me radhë pozicionet e atjeshme të Gardës Republikane. //kk//

XS
SM
MD
LG