Lidhje

Në Xhepçisht të Tetovës gjenden pjesë të një trupi njeriu - 2003-04-13


Në rrethinën e fshatit Xhepçisht të Tetovës janë gjetur pjesë nga një trup njeriu, që dyshohet se i përkasin ndonjërës prej viktimave ose të zhdukurve nga konflikti i para dy vjetëve në Maqedoni. Zyrtarë të policisë thonë se pjesët ishin esktremitetet e poshtme deri në bel, por se mungonte pjesa e sipërme e trupit të viktimës. 20 personat e zhdukur vazhdojnë të jenë enigmë për opinionin publik në Maqedoni.

Pjesët e gjetura ishin qenë të mbështjellura me batanije dhe ishin hedhur në një vend-hedhje plehrash në afërsi të rrugës së fshatit Neproshten. Policia maqedonase thotë se në afërsi të këtij vendi autoritetet kanë bërë gërmime për shkak të dyshimeve se aty mund të jenë varrosur viktima të konfliktit të armatosur në vitin 2001. Gërmimet u patën urdhëruar nga ish-Ministri i Punëve të Brendëshme, Lube Boshkovski.

Ekipe të policisë së Tetovës kanë zhvilluar hetime në vendin ku u gjetën pjesë të trupit, të cilat i janë dërguar institutit për mjekësi ligjore në Shkup për analiza të mëtejshme.

Njëzet civilë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga konflikti i vitit 2001; prej tyre gjashtë janë shqiptarë, 12 maqedonas. Askush deri tash nuk ka mundur ta zbulojë vendndodhjen e tyre, ndonëse një komision i drejtuar nga ndërkombëtarët nuk ka pushuar së kërkuari.

Në këtë kuadër, njëri nga ish-drejtuesit e UÇK-së, Fazli Veliu, njoftohet se i ka dërguar një letër ish-Ministrit Lube Boshkovski të cilit i kërkon të flasë se ku ndodhen gjashtë civilët e rrëmbyer shqiptarë. Në letrën e publikuar nga agjencitë maqedonase të lajmeve, zoti Veliu i drejtohet zotit Boshkovski se, si ministër i mëparshëm i Punëve të Brendshme, është përgjegjësi kryesor për arrestimin e shqiptarëve më 20 gusht 2001 në rajonet e Strugës, Tetovës, Kërçovës dhe Shkupit. ”Prandaj është detyra yte që t’i gjesh këta shqiptarë dhe t’i kthesh në shtëpitë e veta sa nuk është vonë”.

Letra zotit Boshkovski i është dërguar në adresë të shtëpisë dhe kjo e ka shqetësuar tej mase atë dhe familjen e tij. Një ndër gjashtë shqiptarët e rrëmbyer është dhe vëllai i zotit Veliu.

Por as ky i fundit, dhe as partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk e kanë bërë komente mbi publikimin e kësaj letre nga ish-Ministri i Brendshëm Boshkovski në agjensitë e lajmeve. //az//

XS
SM
MD
LG