Lidhje

SHBA paralajmërojnë Sirinë - 2003-04-13


Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Sirinë që të mos u japë strehim zyrtarëve të lartë të qeverisë së përmbysur të Sadam Huseinit. Sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, diskutoi rreth kësaj çështjeje në televizionin britanik.

Ai tha se Uashingtoni po i kërkon Sirisë që t’i japë fund mbështetjes për terrorizmin dhe që Damasku të mos pranojë kërkesat për strehim nga zyrtarë që kanë punuar për Sadam Huseinin. “Ne po ua bëjmë sirianëve të qartë këtë çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shpresojmë se Damasku do të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme. Ne mendojmë gjithashtu se nuk do të ishte urtësi sikur Siria të bëhej strehë për të gjithë ata njerëz që duhen sjellë para drejtësisë”.

Siria mohon se po mbron ish-zyrtarët irakianë dhe thotë se vetëm ndihma humanitare po kalon kufirin e saj me Irakun.

Shefi i diplomacisë amerikane mohoi se Uashingtoni favorizon udhëheqësin irakian në mërgim, Ahmed Çelebi, të vihet në krye të një qeverie të përkohshme që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të organizojnë në Irak. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë caktuar asnjeri të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i Irakut apo kreu i Autoritetit Kalimtar Irakian. Ne mendojmë se populli irakian dhe fillimisht përfaqësuesit e popullit irakian janë ata që duhet ta bëjnë këtë gjë. Presidenti Bush e ka bërë krejt të qartë se nuk është puna jonë të caktojmë presidentin e ardhshëm të Irakut”.

Për sa u përket marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Kombeve të Bashkuara, Sekretari Pauëll pranoi se ato janë dëmtuar nga përçarjet në lidhje me krizën irakiane. “Mendoj se këto marrëdhënie janë dobësuar. Nuk mendoj se ne duhet ta mohojmë apo ta minimizojmë këtë fakt. Shtatorin e kaluar, Kombet e Bashkuara u ndodhën përballë faktit të paraqitur nga Presidenti Bush se Sadam Huseini nuk po vepronte në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe se ai po shfrytëzonte inspektimet e stërgjatura për të krijuar vonesa me shpresë se interesimi ndërkombëtar do të venitej. Por Kombet e Bashkuara nuk e vunë veten në pozitë të përballen me këtë sfidë të thjeshtë. Unë mendoj se ky ishte një dështim nga ana e Këshillit të Sigurimit”.

Sekretari Pauëll hodhi poshtë edhe thirrjen e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë e Rusisë që Kombet e Bashkuara të luajnë rol udhëheqës në procesin e themelimit të qeverisë së re në Irak. Ai theksoi se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pagoi çmimin, me jetë njerëzish dhe para, për të ndërhyrë në Irak, kështu që është detyra kryesore e këtij koalicioni të sigurojë që në Irak të themelohet një qeveri demokratike. //az//

XS
SM
MD
LG