Lidhje

Demaçi: Zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës, është me interes të dyanshëm - 2003-04-14


Të hënën në Beograd përfundoi një konferencë tri ditëshe ndërkombëtare mbi zhvillimet në Ballkan dhe procesin e vështire të integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Në këtë konferencë morën pjesë personalitete të njohura nga fusha të ndryshme, përfshirë zyrtare qeveritarë dhe përfaqesues të shoqerisë civile. Nga Kosova, ne këtë konferencë mori pjesë veprimtari i njohur, Adem Demaci, i cili dha një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zoti Demaçi çfarë përshtypjesh keni nga konferenca që u zhvillua në Beograd?

Adem Demaçi: Përshtypjet e mia janë të shkëlqyera dhe nuk e prisja që të kisha një pritje kaq të madhe. Kam dhënë gati 10 intervista brenda këtyre tri ditëve. Përshtypja ime është shumë pozitive.

Zoti Demaçi, gjatë këtyre ditëve ju keni zhvilluar takime dhe bisedime me përfaqesues të ndryshem serbë. A shihet ndonjë ndryshim në qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës? Sa e preokupuar është Serbia me çështjen e Kosovës pas vrasjes së kryeministrit Xhinxhiç?

Adem Demaçi: Të them të drejtën Serbia ka qenë e preokupuar dhe është e preokupuar shumë më tepër sesa ç’deklarohet. Megjithatë unë mendoj se ende nuk janë krijuar kushtet e mjaftueshme që gjërat të shikohen, të ballafaqohen me një realitet ashtu siç duhet. Edhe pse janë bërë disa ndryshime të fundit pas vrasjes tragjike të Zoran Xhinxhiçit, është vendosur gjendja e jashtëzakonshme, janë zënë një numër i madh kriminelësh që kanë bërë të zeza, sidomos në Kosovë dhe vise të tjera, domethënë pak a shumë është një klimë më e relaksuar, megjithatë mendoj se me nomenklaturën që është në pushtet, me këtë situatë sot, mendoj që ende janë të ngarkuara me disa iluzione të hegjemonizmit të trashëguar dhe nuk besoj se do të jenë shumë shpejt të gatshëm, nëse do të mbeten ende gjërat kështu siç janë. Por unë kam shpresë që gjërat do të thellohen, sepse nuk do të mund të ndalen në gjysëm të rrugës dhe ka shpresa që dikur të vijë një kadidaturë që plotësisht të jetë në gjendje ta mohojë atë patriotizmin e rremë dhe negativ i cili bëri që Serbia të futej në luftë me Slloveninë, me Kroacinë, me Bosnje-Hercegovinën, me ne këtu në Kosovë etj, etj.

Domethënë ky ishte një takim shumë interesant, një temë shumë interesante pikërisht në Beograd dhe çka është më interesante është se në hapjen e këtij takimi mori pjesë edhe vetë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë dhe Malit të Zi, zoti Svilanoviç. Ai foli me fjalë të zgjedhura, nuk u hap shumë në detaje, mirëpo edhe ai si një pikë të tretë të politikës së jashtme të Serbisë dhe Malit të Zi e radhiti edhe Kosovën dhe tha se do të duhet që t’i hapim letrat, të flasim hapur, t’i konstatojmë problemet etj.

Kur mbaroi bisedën unë i thashë se nuk mjafton vetëm të bisedojmë, por është e nevojshme edhe t’i zgjidhim problemet.

Sa ndikim mendoni ju se ka Beogradi zyrtar mbi serbët vendorë në Kosovë dhe udhëheqësit e tyre?

Adem Demaçi: Momentalisht, Beogradi zyrtar ka ndikim vendimtar tek serbët e Kosovës dhe pikërisht ky ndikim na ka nxjerrë probleme ne në Kosovë, që mundohemi të afrohemi me pakicën serbe atje, sepse kanë bërë që ajo pakicë të bunkerohet, të izolohet, të luajë një farë teatri për një farë rrezikshmërie, të madhe, të fortë, të padurueshme të tyre në Kosovë, çka nuk është e vërtetë. E di gjithë bota që deputetët që janë në kuvendin e Kosovës, janë krejtësisht të orientuar dhe shikojnë, dëgjojnë dhe përgjojnë çka thotë Beogradi dhe atë bëjnë.

Ata përdorin edhe mjete të tjera, u çojnë pensione, i paguajnë, i emërojnë, i ndihmojnë në krijimin e një shteti të vogël brenda territorit të Kosovës, siç është pjesa veriore bashkë me Mitrovicën veriore, kështuqë këta kanë mundësi që të ndikojnë tek ata ndoshta edhe me 90 përqind në përcaktimin e mëvonshëm.

Zoti Demaçi, në konflikte të tilla territoriale siç është çështja e Kosovës, palët kundërshtare përpiqen të arrijnë pretendimet ose qëllimet e tyre maksimale, por shpesh detyrohen të pranojnë zgjidhje që përmbushin vetëm kërkesat e tyre minimale. Si njohës i mirë i politikës serbe, cilat mendoni se janë kërkesat minimale të Serbisë dhe a janë ato të pranueshme për palën shqiptare?

Adem Demaçi: Serbia ka një përparësi të madhe, që shqiptarët ua dhanë, në të vërtetë, esencën e problemit me nënshkrimin e Rambujesë. Me pranimin e rezolutës 1244, me pranimin e kornizës kushtetuese, shqiptarët në të vërtetë hoqën dorë nga sovraniteti i tyre dhe ai sovranitet tani momentalisht gjendet në duart e Shtajnerit i cili në bazë të rezolutës 1244 një ditë do t’ia kalonte autoritetin që ka Serbisë dhe Malit të Zi, kjo ashtu kuptohet. Kështu Serbia di shumë mirë ta shfrytëzojë këtë punë, edhe pse vetë nuk ishte nënshkruese as e Rambujesë dhe në rrjedhat e sotme ishte kundërshtare e kësaj pune, kështuqë këta veprojnë në dy rrafshe: njëri rrafsh është që “bota na e njeh ne sovranitetin mbi Kosovën dhe integritetin dhe këtë punë e kërkojmë me të drejtë”. E kanë fituar të drejtën që qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjen e Presidentit të Serbisë dhe Malit të Zi, në pjesëmarrjen e zgjedhjeve të partive që janë të regjistruar në Beograd, në zgjedhjet lokale të Kosovës që është një përzierje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu ata duan ta krijojnë këtë punë dalëngadalë edhe me krijimin e këtij minishteti të vogël, të themi, të pjesës veriore të Kosovës, por shkojnë edhe në një drejtim tjetër duke kërkuar një farë decentralizimi që do të ishte një decentralizim mbi baza etnike, të krijohen territore krejtësisht të pastra etnike serbe, të cilat do të ishin solucioni i dytë, nëse shqiptarët do të ngulnin këmbë që të mos pranojnë çfarëdo lidhje me Serbinë, atëherë Serbia do të dilte me propozimin tjetër duke thënë: “mirë pra ju mbani territoret tuaja, ne këtë pakicën tonë nuk e lëmë nën mëshirën tuaj dhe do t’i marrim, do t’ia bashkojmë Serbisë krejt këto territoret ku janë të vendosur serbët si shumicë”, dhe puna do të kryhej në këtë mënyrë.

Pra ky është një shantazh i hapur që u bëhet shqiptarëve, që të pranojnë diçka më pak se liria dhe pak më shumë sesa një autonomi e zakonshme.

Zoti Demaci, kohët e fundit udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka propozuar një moratorium në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosoveë? Kjo ide, ky propozim i tij është kritikuar shumë ashpër në Kosovë. Si e keni pritur ju këtë ide?

Adem Demaçi: Shqiptarët mundohen ta gjejnë një farë lidhjeje, një farë zgjidhjeje që nuk mbështetet askund, nuk ka perspektivë askund sepse edhe duke e shtyrë për shembull këtë çështje, prapëseprapë Serbia është në avantazh, derisa shqiptarët nuk janë në gjendje të shkaktojë atje një krizë politike e cila do ta detyronte botën që të shqyrtonte problemin e Kosovës. Deri atëherë u zgjat apo nuk u zgjat problemi, nuk do të ishte një farë zgjidhje. Unë këtu serbëve u propozova që nëse duan me të vërtetë të pajtohen me shqiptarët, nëse doni me të vërtetë të mos ketë nevojë për falje, ju duhet të bëni një hap historik, si cili duhej të pritej nëse e keni vetëdijen e lartë politike, që ta zgjidhni problemin njëherë e përgjithmonë.

Unë u thashë që ata mund ta imponojnë një zgjidhje me këtë lloj rezolute 1244 që ju jep sovranitetin, por ju do të bini atëherë në mëshirën e stihisë, stihija kushton shtrenjtë, kështuqë ata do të duheshin ta pranonin të drejtën e shqiptarëve për vetvendosje në mënyrë që të bëhej zgjidhja përfundimtare e këtij problemi, ashtu siç duhet në interes të dyanshëm.

XS
SM
MD
LG