Lidhje

Shtetet e Bashkuara shtojnë kritikat ndaj Sirisë - 2003-04-14


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Pouell tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve ekonomike dhe diplomatike kundër Sirisë për qëndrimin e saj gjatë luftës në Irak.

Sekretari Pauëll foli sot në Uashington, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Britania po shtojnë trysninë mbi Damaskun për të marrë në shqyrtim akuzat se po strehon ish-udhëheqës irakianë dhe se zotëron armë kimike. Ushtria amerikane thotë se shumë nga të huajt që shkuan në Irak për të luftuar kundër koalicionit ishin nga Siria.

Administrata e presidentit Bush nuk e ka fshehur shqetësimin se Siria i ofroi mbështetje materiale Irakut edhe pas fillimit të luftës dhe se tani mund të ketë strehuar anëtarë të lartë të regjimit të mëparshëm të Bagdatit. Sekretari i Shtetit Pauëll po e shton trysninë ndaj Damaskut, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë masa të mundshme diplomatike, ekonomike ose të tjera kundër Sirisë nëse ky vend nuk bashkëpunon.

Pas takimit me ministrin e jashtëm të Kuvaitit, Sekretari Pauëll u tha gazetarëve se shpreson që Siria “do t’i kuptojë detyrimet e saj” në kuadër të gjendjes së re në rajon: "Besojmë se në kushtet e rrethanave të reja të krijuara, ata duhet të rishikojnë veprimet dhe sjelljen e tyre, jo vetëm për sa i përket atyre që futen në Siri dhe armëve të shkatërrimit në masë, por në veçanti për përkrahjen ndaj veprimtarisë terroriste" , tha sekretari i shtetit.

Sekretari Pauëll e përshkroi kufirin Siri-Irak si “disi poroz” dhe tha se nëse figura të larta nga ish-qeveria irakiane kalojnë kufirin sirian, Damasku duhet të bëjë çfarë mundet për t’i ndaluar.

Në Londër, kryeministri britanik Tony Blair tha se Siria ka premtuar të ndalë hyrjen e irakianëve që përpiqen të futen në këtë vend. Washingtoni këmbëngul se Siria po strehon ish-zyrtarë irakianë dhe se ka armë të shkatërrimit në masë, pavarësisht se Damasku i mohon akuzat.

//rd//

XS
SM
MD
LG