Lidhje

Tepër herët të thuhet se lufta në Irak ka mbaruar - 2003-04-14


Zyrtarët ushtarakë amerikanë në Gjirin Persik thonë se rënia e Tikritit, vendlindja e Saddam Husseinit, e ka futur operacionin në Irak në një pikë kalimtare, siç e quajti një gjeneral. Por siç njofton korrespondenti ynë Roger Wilkison nga Komanda Qendrore amerikane në Doha të Katarit, zyrtarët theksojnë se është tepër herët të thuhet se lufta në Irak ka mbaruar.

Tanket dhe trupat amerikane pothuajse e kanë vënë nën kontroll Tikritin, baza e fundit e Saddam Husseinit. Gjenerali Vincent Brooks, zëdhënës i Komandës Qendrore amerikane, tha se forcat amerikane kanë marrë pallatin presidencial në Tikrit dhe janë vënë në kërkim të mbështetësve të regjimit në këtë qytet dhe në zonën rreth tij.

Gjenerali Brooks tha se Tikriti duket se është marrë me më pak rezistencë se sa prisnin zyrtarët ushtarakë amerikanë, por ai paralajmëroi se elementët besnikë të regjimit nuk kanë hequr dorë nga qendresa.

Sipas gjeneralit Brooks, luftimet në ditët e ardhëshme do të jenë më të lokalizuara dhe në një shkallë më të vogël. Ushtria amerikane, tha ai, tani nuk e konsideron ushtrinë irakiane si një forcë të efektëshme dhe pret që luftimet që do të zhvillohen, sido që të jenë ato, nuk do të përfaqësojnë beteja me një forcë të organizuar: "Kjo fushatë ka një numër objektivash dhe të gjithë këta objektiva duhet të realizohen para se të mund të themi se misioni është kryer, se fitorja është e plotë dhe se ne mund të vazhdojmë punën për përmbushjen e përgjegjësive të tjera që kemi", tha gjenerali Brooks.

Gjenerali Brooks thotë se në Irak ende ka zona ku forcat amerikane nuk e kanë çrrënjosur plotësisht veprimtarinë ushtarake irakiane, ndërsa në disa zona të tjera, ato ende nuk kanë shkuar: "Por është e qartë se ne kemi arritur në një pikë ku po marrin fund operacionet ushtarake vendimtare që kishin si synim heqjen e regjimit, shkatërrimin e aftësive të tij, asgjësimin e aftësive të tij për të kërcënuar vendet fqinje, forcat e koalicionit apo vendet tona. Pra tani ne ndodhemi në një pikë kalimtare," tha gjenerali Brooks.

Gjenerali tha se synimi i koalicionit tani është kalimi nga operacionet luftarake në vendsojen e qendrueshmërinë në të gjithë vendin. Ai shtoi se një nga pikat ku forcat e koalicionit e kanë drejtuar vemendjen është gjetja e 80 jelekëve me eksplosivë të cilët janë zhdukur. Fjala është për jelekë si ata që përdoren për të kryer sulme vetvrasëse. Gjenerali Brooks tha se ato mund të kenë rënë në duart e luftëtarëve të huaj, kryesisht sirianë, të cilët kanë zhvilluar herë pas here shkëmbime zjarri me forcat amerikane përrreth Bagdatit.

Gjenerali njoftoi gjithashtu se të gjitha fushat naftëmbajtëse të Irakut, që shihen si element kyç për rimëkëmbjen e vendit pas luftës, janë tani nën kontrollin e forcave amerikane dhe të atyre të koalicionit.

//rd//

XS
SM
MD
LG