Lidhje

Forcat amerikane marrin Tikritin - 2003-04-14


Forcat amerikane futën nën kontroll vendlindjen e Sadam Husenit, qytetin Tikrit, dhe janë përqëndruar në eliminimin e ndonjë qëndrese të fundit nga forcat besnike të udhëheqësit irakian.

Njoftimet e sotme nga ky qytet bëjnë të ditur se helikopterët amerikanë sulmuan një objekt në njërën prej lagjeve. Ndërkohë që marinsat bënin kontrolle shtëpi-më-shtëpi, në distancë dëgjoheshin shpërthime. Megjithatë gazetarët thonë se qyteti është përgjithësisht i qetë, pa shenja festimesh apo plaçkitjesh që u vunë re pas rënies së regjimit të Sadam Husenit në qytete të tjera irakiane.

Tanket amerikane u futën sot në qendër të Tikritit pas një nate sulmesh intensive nga ajri kundër trupave që kishin mbetur nga Garda Republikane e Irakut. Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se të vetmen qëndresë e hasën në rrethinat e qytetit. Siç njoftohet, marinsat amerikanë vranë një bandë prej rreth 20 ushtarësh irakianë, të cilët sulmuan një autokolonë me mjete të blinduara që po i afrohej dje Tikritit. Ushtarët nuk ndeshën në ndonjë qëndresë të fundit nga forcat pro-Sadamit, siç kishin pritur.

Një zëdhënës i Komandës Qendrore Amerikane tha se shumë trupa irakiane kishin braktisur pozicionet e tyre si dhe mjetet e blinduara para mbërritjes së amerikanëve. Zëdhënësi tha se forcat amerikane kanë marrë nën kontroll njërin prej pallateve të Sadamit dhe po kërkojnë për udhëheqësit e regjimit të rrëzuar. Vetë fati i Sadam Huseinit nuk dihet. Zyrtarët amerikanë thonë se ekspertët e mjeksisë ligjore kanë mostra të A-D-N-së të Sadamit, të cilat mund të përdoren për të krahasuar A-D-N-në e ndonjë trupi që gjendet në rrënoja, ku ai mund të jetë vrarë nga sulmet ajrore.

Forcat e koalicionit po kërkojnë zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë së rrëzuar. Ushtria amerikane pohoi sot se vëllai nga nëna i Sadamit është kapur nga forcat e koalicionit. Watban Ibrahim Hasan al-Tikriti, ish-ministër i brendshëm, ishte në listën e 55 figurave më të kërkuara irakiane.

//rd//

XS
SM
MD
LG