Lidhje

70 komando të ushtrisë shqiptare nisen për në Irak - 2003-04-14


Shqipëria përcolli të hënën me një ceremoni zyrtare në sheshin "Skënderbej" në qendër të kryeqytetit Tiranë njësinë komando prej 70 trupash që iu bashkuan forcave ndërkombëtare për misione paqeruajtëse në Irak.

Komandot shqiptare e ndërmorën vullnetarisht këtë mision, i cili u legalizua edhe me vendim te Parlamentit disa dite me parë.

Presidenti Alfred Moisiu i dorëzoi flamurin komandantit të forcave shqiptare, duke i vlerësuar ata si një nga provat e dukshme të reformimit të ushtrisë shqiptare.

"Shqiptarët janë krenarë me ushtarakët e tyre. Ata i kanë dhënë vendit emër, respekt, imazh dhe miq të shumtë, duke u bërë partnerë të denjë me vendet e NATO-s, me aleatët dhe SHBA-në në luftën kundër terrorizmit, si dhe një pjesë aktive e misioneve paqeruajtëse”, tha zoti Moisiu. Trupat i përshëndetën edhe kryeministri Fatos Nano dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi. Ambasadori amerikan dhe ai britanik përshëndetën në gjuhën shqipe forcat shqiptare të rreshtuara në shesh. Ata vlerësuan kurajon e ushtarëve dhe ndihmesën e Shqipërisë në luftën e koalicionit kundër rregjimit irakian.

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhejms Xhefri, tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme midis Shqipërisë dhe SHBA për mbështetjen e luftës në Irak. Ai falenderoi autoritetet shqiptare, maxhorancën dhe opozitën parlamentare dhe "sidomos popullin shqiptar".

Duke iu drejtuar komandove shqiptare, ambasadori Xhefri theksoi se ata do te veprojnë përkrah ushtarëve më të mirë amerikanë duke mësuar nga njëri-tjetri.

"Unë bie dakord me kryeministrin Nano se ju do të tregoni që Shqipëria është gati për anëtarësim në NATO", u tha ai ushtarëve shqiptarë.

Forcat komando janë trupat më të specializuara të ushtrisë shqiptare. Shqipëria u rendit që në fillim pa mëdyshje në krah të Koalicionit për Paqen për të goditur regjimin irakian.

Ajo ishte një ndër vendet e para ish-komuniste të Europës që kërkoi të anëtarësohej në NATO, dhe gjatë gjithë viteve të tranzicionit po përpiqet të reformojë ushtrinë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut. //kk//

XS
SM
MD
LG