Lidhje

Presidenti Moisiu: luftë krimit ekonomik - 2003-04-15


Presidenti i Republikes Alfred Moisiu kërkoi sot që goditja ndaj elementëve të inkriminuar të jetë sistematike pa bërë dallime të përkatësisë politike. Sipas presidentit Moisiu vrasjet e disa biznesmeneve kanë dëshmuar ekzistencën e monopoleve dhe shkallën e gjerë të inkriminimit të ekonomisë. Këto komente kreu i shtetit shqiptar i bëri gjatë një konference “Për një pushtet të përgjegjshëm”të organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë.

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu tha sot se të gjitha sfidat me të cilat përballet vendi janë të lidhura me reformën në drejtësi dhe se një rëndësi të madhe ka rritja e përpjekjeve për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit ligjor. Në këto institucione duhet të shmanget dëshira për të ruajtur në vijimësi frymen politike.

Duke vlerësuar reformat e ndërmarra deri tani, presidenti i mëshoi idesë që një vëmendje kryesore duhet të përqëndrohet te Drejtësia: "Ngjarjet e muajve të fundit, të shprehura në një numër vrasjesh të individëve të komunitetit të biznesit kanë provuar, jo thjesht ekzistencën e monopoleve, shkallën e gjerë të inkriminimit të ekonomisë, por edhe domosdoshmërinë që shteti të perfeksionojë dhe të zbatojë me rigorozitet rregullat e “lojës së tregut” në fushën e ekonomisë, bankave dhe financave, si edhe nevojën që goditja ndaj elementëve të inkriminuar të jetë sistematike pa bërë dallime të përkatësisë se tyre, së djeshme apo të sotme, të majtë a të djathtë, duke tentuar shndërrimin e luftës për formalizimin e ekonomisë në një çështje të ditës për të gjitha strukturat shtetërore". deklaroi presidenti.

Duke folur më tej për kontrollin që duhet ushtruar ndaj institucioneve kreu i shtetit tha se per fat të keq sipas tij shkalla e përgjegjshmërisë pr të bërë publike dhe transparante mënyrën se si shpenzohen dhe admninistrohen taksat e qytetarëve është ende e ulët: "Ka ardhur koha që Kontrolli i Lartë i Shtetit të dalë nga pozitat konstatuese dhe përsëritja formale e të njëjtës problematikë nga një raport në tjetrin, por të rrisë ekspertizën dhe kontributet e veta institucionale në drejtim të formulimit të rekomandimeve përkatëse, përmirësimin e hartimit dhe të zbatimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, ky institucion do të ndahet me të kaluarën e tij të politizuar dhe profesionalisht të kontestueshme, duke u shndërruar kështu në një mekanizëm të fuqishëm korrigjues, jo vetëm të shkeljes së ligjit në tatime, dogana, prokurime, por mbi të gjitha duke ofruar standarte bashkëkohore në menaxhimin e këtyre të fundit, në mënyrë legjitime dhe në interes të publikut" tha kreu i shtetit Moisiu

Këto vlerësime presidenti i Republikës i bëri në hapje të një konference për një pushtet të Përgjegjshm, të sponsorizuar nga ambasada amerikane në Tiranë. Kjo konferencë synon të sjell eksperiencën amerikane në kontrollin dhe balancën e institucioneve në qeveri. Ambasadori amerikan James Jeffry tha se në çdo strukturë qeveritare është e nevojshme të ketë institucione të pavarura, dhe objektive, grupe njerëzish, që të jenë mbikqyrës dhe të sigurojnë që me këto institucione nuk abuzohet. Kjo është shumë e rëndësishme për çdo sistem politik, u shpreh ambasadori Jeffry, pasi çdo sistem politik duhet të luftojë korrupsionin. //ss//

XS
SM
MD
LG