Lidhje

Islami: lufta kundër korrupsionit, nga më të rëndësishmet në këtë moment  tranzicioni - 2003-04-15


Ministri shqiptar i financave Kastriot Islami ndodhet ne Washington ku mori pjese gjate fundjaves ne takimin vjetor te Fondit Monetar Nderkombetar dhe Bankes Boterore. Zoti Islami dha të martën një intervistë për Zërin e Amerikës, ku foli për takimet që pati në Washington dhe për gjendjen ekonomike të Shqipërisë:

Zoti Islami si i cilësoni takimet që keni zhvilluar këto ditë me zyrtarët të Bankës Botërore dhe zyrtarë të Administratës Amerikane?

Kastriot Islami: Gjatë këtyre ditëve ne morëm pjesë në takimin e përvitshëm të pranverës, ku gjithnjë e më tepër edhe në kuadër të globalizmit po synohet të analizohen në mënyrë të përvitshme dhe sistematike edhe objektivat që janë vendosur, edhe planet e veprimit dhe pastaj të merren edhe masat konkrete për të vazhduar më tej. Konkretisht këtu u bë një analizë e implementimit të stretegjive, partneritetit dhe aksioneve që janë mirëkuptuar në takimin e Montereit dhe Johanesburgut përsa u përket objektivave të mijëvjeçarit.

Tre ishin fokuset kryesore ku mendohet tani të përqendrohet vëmendja: në krijimin e një klime dhe mjedisi të përshtatshëm për tërheqjen e investitorëve strategjikë në vendet në zhvillimi dhe të zhvillimit të biznesit dhe sektorit privat; e dyta, përmirësimi i qeverisjes në vendet në zhvillim, duke patur në konsideratë luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe komponentja e tretë është vazhdimi i reformës në administatën publike për të ngritur kapacitetet njerëzore, për t’i bërë ato të afta, sidomos edhe në kuadrin e një aksioni që është marrë që në konferencën e fundit të Romës për harmonizimin e të gjitha projekteve që kanë vendet në zhvillim me vendet e zhvilluara në mënyrë që të rritet afikasiteti i këtyre ndihmave.

Po kështu unë pata takime edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, për problematikën që lidhet me Shqipërinë, me Bankën Botërore, me IFC-në, në mënyrë të veçantë, ata kanë një paketë për privatizimet në sektorët strategjikë, në Departamentin e Shtetit dhe së fundi sapo kisha një takim edhe në Departamentin e Thesarit.

Ju përmendët investimet nga jashtë. Sa rezultate janë arritur në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për investime nga jashtë?

Kastriot Islami: Mund të thoja që në mënyrë progresive, ne kemi marrë disa masa sidomos të karakterit legjislativ dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për tërheqjen e investitorëve strategjikë, por edhe të krijimit të një klime miqësore për biznesin.

Po kështu po merren masa edhe në kuadrin e programit që kemi me Bankën Botërore. Është një program, kredi e veçantë dhe komponentja më e rëndësishme është krijimi i klimës miqësore për biznesin vendas ku ne po synojmë të thjeshtojmë maksimalisht të gjitha procedurat. Ka një studim përsa i përket barrierave administrative. Ministria e Ekonomisë është e ngarkuar të bëjë një plan veprimi, po kështu po lehtësojmë të gjitha procedurat që kanë me administratat fiskale, procesi i liçencimit. Nga ana tjetër po punohet për privatizimin, sepse një nga mënyrat e tjera për të tërhequr investitorët strategjikë është pikërisht tërheqja e këtyre investitorëve, në privatizimin e bankës së kursimeve, në fund të vitit ne do të tentojmë edhe një herë privatizimin e kësaj banke, mbase kemi kryer një sërë ristrukturimesh.

A Ekziston një strategji e re për privatizimin e Bankës së Kursimeve, apo është i njëjti plan që kishit përpara dhe që deri tani ka dështuar?

Kastriot Islami: Vitin e kaluar ne tentuam në shtator, sipas një folrmule që ka miratuar parlamenti, pra nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar ta realizonim. Kishim tri oferta, por ato së fundi u larguan për arsye shumë komplekse. Një nga arsyet ishte sepse tregu në rajon në sistemin bankar është relativisht i ulët, për shkak të situatës në rajon, por njëkohësisht në shtator ne bëmë një mbledhje në Washington, ku gjithë partnerët, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, IFC dhe BERZH-i ramë dakord për planin e ri të vazhdimit të procesit të privatizimit që do të thotë ristrukturim me disa komponente. Konkretisht ne po punojmë për kalimin e pensioneve tek Alba Posta, për modernizimin dhe kompjuterizimin, po kështu është zvogëluar numri i punonjësve në Bankë dhe njëkohësisht në Departamentin e Thesarit biseduam edhe për çështjen që lidhet me bonot e thesarit.

Të gjitha këto e kanë bërë bankën më tërheqëse dhe njëkohësisht në shtator do të fillojë një marketing më agresiv duke patur edhe një këshilltar të huaj për të tentuar dhe për të bërë të njëjtat vizita me ato banka që kemi bsieduar vjet nga Italia, nga Hungaria. Kemi shprehje interesi edhe nga Spanja dhe do të tentojmë në shtator, por njëkohësisht po përgatisim edhe një plan rezervë, nëse kjo shprehje interesi nuk do të jetë ajo që ne presim.

Siç dëgjuam edhe nga korrespondenti ynë në Tiranë, sot Presidenti Moisiu ka mbajtur një fjalim mjaft të ashper, ku prek disa tema të ndjeshme si ekzistenca e monopoleve, kontrolli i disa sektorëve të ekonomisë nga grupe ose persona të inkriminuar. Sa shqetësuese janë këto probleme dhe çfarë masash mund të ndërmarrë qeveria, apo edhe ministria juaj?

Kastriot Islami: Ministria e Financave ka programe. Të gjitha shqetësimet që ngriti zoti President janë disa prej angazhimeve që ka qeveria, në mënyrë të veçantë Ministria e Financave, në bashkëpunim edhe me asistentë të Bankës Botërore ka një program për rritjen e përgjegjshmërisë financiare. Ky program ka një sërë komponentësh. Komponentja e parë lidhet me mirëadministrimin e fondeve publike, krijimin e gjithë bazës ligjore dhe nga pikëpamja institucionale për hartimin e një buxheti me amendamente që do arrijë të rrisë transparencën. Së fundi patëm një mision të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që bëri një vlerësim të situatës në Shqipëri për transparencën përsa u përket fondeve buxhetore dhe mbi këtë bazë ne kemi një sërë rekomandimesh që duhet t’i implementojmë. Po kështu po punohet në drejtim të thesarit që është komponentja e dytë.

Komponentja e tretë lidhet me atë patrimin e parave, për të cilën ka një asistencë nga Departamenti i Thesarit, është bërë një ligj, amendamente të reja, po ngrihen kapacitetet dhe natyrisht po synohet që edhe në bashkëpunim sidomos rajonal të bëhet lufta për pastrimin e parave. Natyrisht ka edhe një komponente të rëndësishme për të cilën janë të interesuara Shtetet e Bashkuara për financimet kundër terrorizmit. Po kështu një komponente tjetër është lufta që po bëhet për mirëqeverisjen, apo korrupsionin. Konkretisht ne kemi shtrirë përsa u përket emërimeve në zyrtarët e lartë në dogana, në tatime, në drejtorinë e KESH-it, të rrugëve etj, të gjithë parimet e shërbimit civil, në mënyrë që ato të bëhen transparente dhe sipas rregullave të shërbimit civil.

Të gjitha këto komponente janë pjesë e punës dhe matricave që ne kemi, në mënyrë speciale siç e thashë jo vetëm me Bankën Botërore, por edhe me Bashkimin Evropian. Shqetësimin që ngrihet vjen natyrisht nga disa indikacione që ka patur gjatë kohëve të fundit me disa biznesmenë dhe është një shqetësim i rëndësishëm, por ne e kemi në matricat tona dhe unë mendoj se në mënyrë progresive do të arrijmë të realizojmë pikërisht edhe këtë luftë që është edhe një nga më të rëndësishmet në këtë moment tranzicioni shqiptar.

//rd//

XS
SM
MD
LG