Lidhje

E ardhmja e Irakut - tema e mbledhjes së irakianëve vendas dhe nga diaspora - 2003-04-15


Zyrtarët amerikanë organizuan takimin e së hënës mes grupeve të opozitës irakiane, për diskutime mbi strukturën politike të Irakut të pasluftës. Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se takimi është i rëndësishëm, por shtoi se, si hap i parë, nuk pritet që të bëhet përparim i madh. “Mendoj se shumica e grupeve jashtë vendit si edhe përfaqësuesit e grupeve të qendresës e kuptojnë nevojën për nisjen e procesit në këtë mënyrë, me një fillim modest, për t’i hapur rrugën dialogut”.

Grupi kryesor shiit irakian, Këshilli Suprem i Revolucionit Islamik të Irakut, njoftoi se do ta bojkotojë takimin. Sipas udhëheqësve të tij, populli irakian nuk do të pranojë një administratë të emëruar nga të huajt.

Përpjekjet filluan të përqendrohen tek e ardhmja politike e Irakut, ndërkohë që zyrtarë amerikanë të Mbrojtjes filluan të pakësojnë operacionet ushtarake në Irak. Ata thonë se vëmendja është zhvendosur tani tek realizimi i objektivave të tjera si gjurmimi dhe kapja e udhëheqësve të regjimit të përmbysur të Sadam Huseinit dhe gjetja e armëve irakiane të shkatërrimit në masë. Gjeneral-majori Stenli Mekristal, i shtabit të përgjithshëm amerikan, tha se mes objektivave të tjera janë ruajtja e një mjedisi të qendrueshëm për qeverinë e re irakiane dhe ndihma për rindërtimin e infrastrukturës së vendit. “Do të jetë e nevojshme që për një farë kohe të mbahet atje një forcë luftarake për të ruajtur ose për të krijuar një mjedis të sigurt. Por, kërkesat për çështje publike, organizata inxhinierie dhe polici ushtarake do të jenë të mëdha”.

Në Bagdad, inxhinierë ushtarakë amerikanë filluan punën për të vënë në funksionim centralet kreyore elektrike të qytetit, që u ndalën nga zyrtarë irakianë afro tri javë më parë.

Gjenerali Stiven Hakins është ngarkuar të mbikqyrë projektet e rehabilitimit në Irakun e pas luftës. Ai thotë se infrastrukltura e energjisë elektrike në Bagdad nuk ka funksionuar në kapacitetin e saj të plotë që nga Lufta e Gjirit Persik në vitin 1991.

Ndërkohë, administrata e Presidentit Bush i vazhdoi të hënën komentet e ashpra lidhur me Sirinë duke paralajmëruar Damaskun që të mos u japë strehim udhëheqësve të ish-regjimit të Sadam Huseinit. Sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll, tha se Uashingtoni do të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve diplomatike e ekonomike apo të masave të tjera kundër Sirisë nëse ajo në bashkëpunon. Zyrtarë të tjerë kanë lënë të kuptohet se qeveria amerikane mund ta ulë nivelin e lidhjeve diplomatike me qeverisë siriane.

Damasku i ka hedhur poshtë akuzat e fundit amerikane. //az//

XS
SM
MD
LG