Lidhje

Konferencë për Irakun - 2003-04-16


Takimi i mbajtur në Irakun jugor me pjesmarrjen e ish opozitës irakiane dhe zyrtarëve amerikanë përfundoi në Irakun jugor me një deklaratë në favor të një Iraku demokratik. Rreth 80 anëtarë të grupeve kundër Saddam Husseinit nga brenda dhe jashtë Irakut u mblodhën të martën në afërsi të qytetit Nasiriya për të diskutuar planet rreth së ardhmes së vendit.

Pjesmarrësit miratuan një deklaratë me 13 pika ku thuhej se qeveria e Irakut të pasluftës duhet të jetë demokratike dhe të përfaqësojë të gjithë irakianët. Në deklaratë bëhet thirrje që gratë të përfshihen në qeverinë e re dhe kërkohet shpërbërja e Partisë Baath të Saddam Husseinit.

Përfaqësuesit e grupeve të ish opozitës u takuan me kreun e administratës ushtarake amerikane për Irakun, gjeneralin në pension Xhei Garner, si edhe me të dërguarin personal të Presidentit Bush, Zalmej Khalizad. Zoti Khalizad u bëri thirrje anëtarëve të fraksioneve të ndryshme irakiane që të bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të sundojnë Irakun. Por ky takim nuk u mbështet nga të gjithë irakianët.

Grupi kryesor shiit i Irakut, Këshilli Suprem i Revolucionit Islamik të Irakut, nuk mori pjesë, duke thënë se populli irakian nuk do të pranojë një administratë të imponuar nga të huajt. Ky qendrim u mbështet nga mijëra irakianë që dolën nëpër rrugë duke thirrur jo amerikanë jo Sadam.

Udhëheqësi i Kongresit Kombëtar Irakian, Ahmed Çeçebi, nuk mori pjesë, por dërgoi një përfaqësues të tij. Një takim i dytë është planifikuar të zhvillohet pas 10 ditësh me pjesmarrjen e përfaqësuesve të tjerë irakianë. //xh//

XS
SM
MD
LG