Lidhje

Socialistët, demokratët dakord me strategjinë për integrim, të ndarë për përgjegjësitë - 2003-04-16


Komisioni i jashtëm i parlamentit shqiptar po debaton lidhur me përgatitjen e një projekt-rezolute mbi raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërine. Kryetari i komisionit, Ilir Zela i Partisë Socialiste dhe nënkryetari Besnik Mustafaj i Partisë Demokratike dhanë të mërkurën pasdite një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zoti Zela, parlamenti shqiptar autorizoi komisionin e Politikës së Jashtme, qe ju drejtoni, që të shqyrtojë dy projektrezolutat e paraqitura dje nga Partia Socialise dhe Partia Demokratike me synimin që t’i shkrijë ato në një të vetme. Sa përparim është bërë në këtë drejtim gjatë mbledhjes që keni zhvilluar sot paradite?

Ilir Zela: Jemi përpjekur që nën frymën e debatit të zhvilluar në Kuvend dhe kryesisht në frymën e fjalimeve përmbyllëse të kryetarit të maxhorancës dhe kryetarit të opozitës në përfundim të debatit, të zhvillojmë konsensusin e nevojshëm për të mundur të paraqisim në kuvend një dokument sa më përafrues, që synon në radhë të parë adresimin për zgjidhje të të tëra problemeve thmelore që jançë adresuar nga raporti i fundit i Komisionit Evropian. Sigurisht që procesi i ndërtimit të konsensusit është një kulturë e re që po përpiqemi të fusim në politikën e Shqipërisë në përgjigje të nevojës për një bashkim sa më të zgjeruar mes forcave politike dhe jam i kënaqur me kontributin gjatë mbledhjes së parë të komisionit për t’i përafruar këto qëndrime dhe kemi arritur që të kemi qëndrime thuajse të përbashkëta në lidhje me hapat dhe masat institucionale që duhen ndërmarrë nga qeveria dhe të tëra institucionet e shtetit shqiptar në mënyrë që të prodhojmë një dokument që në angazhimet që ndërmerr të mund ta bëjë sa më të afërt perspektivën e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Zoti Mustafaj, partia juaj demokratike ashtu si Partia Socialiste e mbështesin me forcë procesin e integrimit të Shqiperise në Bashkimin Evropian. Sa thelbësore janë ndryshimet në qëndrimet e të dy palëve? A janë ato thjesht ndryshime përparësish të interesave politike?

Besnik Mustafaj: Nuk janë dallime që kanë të bëjnë me përparësitë, me strategjinë se ku duhet të shkojë Shqipëria, por qëndrimet janë shumë të largëta në lidhje me punën që po bëhet për ta realizuar këtë strategji, pra për t’i plotësuar këto standarde dhe ky nuk është dallim i vogël, domethënë siç e tha zoti Zela ne vërtet sot kemi bërë një punë jashtëzakonisht voluminoze, sado që në letër duket pak sepse është vetëm një javë e gjysmë e mbushur me rekomandime dhe detyra që u shtrohen institucioneve shqiptare, por ne si të thuash e kemi filluar punën nga fundi, sepse ajo ishte edhe puna më e lehtë. Pra ne e filluam punën aty ku bashkohemi që është pikësynimi i përbashkët. Tani ne kemi një dokument shumë të rëndësishëm në dorë dhe preambula, ajo çka do të justifikojë ato rekomandime që i shtrohen Shqipërisë, ajo mbetet tani për t’u punuar pasdite në komision dhe ajo është edhe pika më e vështirë që ne të biem dakord, megjithëse baza për të rënë dakord është, sepse është vetë dokumenti i Komisionit Evropian.

Zoti Zela, nga qeveri të ndryshme shqiptare gjatë viteve të fundit janë dëgjuar zotime të përsëritura për përmbushjen e reformave, për plotësimin e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, dhe trafiqet e paligjshme, por rezultatet kanë qenë të dobëta. A është kjo rrjedhoje e mungesës së aftësisë institucionale apo, siç thotë opozita, rrjedhojë e mungesës së vullnetit politik dhe inkriminimit të zyrtarëve me krimin?

Ilir Zela: Sigurisht që pyetja juaj adreson një çështje mjaft të rëndësishme që ka të bëjë jo thjesht me përspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë, po edhe me historinë që ky proces ka ndjekur deri në momentet në të cilat po flasim dhe në këtë kuptim unë mendoj që siç edhe progresi është i shtrirë në kohë, njëkohësisht edhe përgjegjësitë për mosarritjen e shpejtësisë se nevojshme në proces janë të shtrira në kohë dhe sigurisht këto përgjegjësi i takojnë bashkarisht tërë klasës politike shqiptare. Ajo që më duhet të them shumë më mirë nga ç’kemi bërë deri tani është adresimi dhe zgjidhja sa më e plotë e të tëra problemeve që rëndojnë mbi imazhin e Shqipërisë, që dëmtojnë bashkëpunimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe jo vetë me Bashkimin Evropian, të zhvillojmë politika të atilla që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që garantojnë rezultatin e reformave në ekonominë e tregut në Shqipëri, pra të eliminojmë të tëra ato fenomene negative që janë vënë re edhe në mënyrë të përsëritur nga raportet e organizmave të ndryshëm ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë raporti i fundit i publikuar nga Komisioni Evropian. Sigurisht ka edhe vështirësi reale për të adresuar këto probleme pasi janë probleme jo thjesht shqiptare por të një natyre rajonale dhe më gjerë, megjithatë unë dëshiroj të them me këtë rast se Partisë Socialiste nuk i ka munguar dhe nuk i mungon asnjëherë vullneti për të ndërmarrë të tëra ato reforma që do të çonin në një zgjidhje sa më të shpejtë të këtyre problemeve. Çka është e rëndësishme dhe për t’u përshëndetur është fakti që edhe opozita shqiptare gjithnjë e më tepër po fokusohet në një proces kontribues që së bashku me maxhorancën, duke ruajtur secila palë rolin e vet në këtë proces të njohë njëkohësisht edhe mundësitë që secila palë ka për kontributin në këtë proces. Pra është plotësisht e mundur që me këtë frymë të re që po përpiqemi të fusim në Shqipëri, me këtë frymë të orientimit ndaj interesave thelbësore kombëtare dhe punës së përbashkët për t’i realizuar këto interesa, ne të mund të ecim sa më shpejt përpara dhe t’i arrijmë ato rezultate që i duhen Shqipërisë.

Zoti Mustafaj, klima politike eshte keqesuar dukshem ne Shqiperi gjate muajve te fundit. Duke marrë parasysh fjalimet pothuajse pajtuese të zotit Nano dhe zotit Berisha dje, a ka ndonjë shans rikthimi tek zhvillimet normale politike, tek klima e mirëkuptimit që ekzistonte pas marrëveshjes Nano-Berisha?

Besnik Mustafaj: Ne gjendemi para një paradoksi të madh si opozitë, sepse maxhoranca na kërkon të pajtohemi me mungesën e vullnetit të saj për të luftuar krimin e organizuar, na kërkon të pajtohemi me paaftësinë e administratës të degraduar për shkak të emërimeve politike dhe nepotike, na kërkon të pajtohemi me një polici ku siç thuhet edhe në raport është prekur nga korrupsioni deri në hierarkinë më të lartë, pra nëse ne na kërkohet nga maxhoranca të pajtohemi me këto defekte shumë serioze që ka funksionimi i shoqërisë shqiptare sot dhe i institucioneve në mënyrë të veçantë, atëherë kjo gjë është e pamundur. Ne mendojmë dhe unë personalisht ndjehem i inkurajuar në këtë aspekt, që opozita shqiptare po e bën detyrën e saj, pikërisht duke mos u pajtuar me këto gangrena të përsëritura siç e tha edhe vetë zoti Zela. Pra ne do ta kryejmë detyrën tonë të dialogut me këtë maxhorancë brenda institucionit të parlamentit dhe të gjitha institucioneve të tjera, pikërisht duke mos u pajtuar me këto defekte kaq të mëdha dhe pa shërimin e të cilave nuk mund të ketë integrim as në Bashkimin Evropian, as në NATO dhe as miqësi me rëndësi strategjike me një vend të tillë siç janë Shtetet e Bashkuara.

A jeni optimist se komisioni juaj do të dalë me një marrëveshje?

Ilir Zela: Unë kam shumë besim se ne do të mund ta bëjmë këtë, përderisa edhe fryma e mbrëmshme në Kuvend ishte e tillë dhe ekziston vullneti tek anëtarët e komisionit për të theksuar ato çështje që janë të karakterit të përbashkët dhe shkojnë në përputhje me interesat kombëtare, aq më tepër që nga natyra e punës në këtë komision kemi një traditë të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit të të gjithë kolegëve që të arrijnë të ngrihen mbi përkatësitë e tyre partiake dhe të orientohen në drejtim të punës si një trupë e përbashkët në funksion të Kuvendit të Shqipërisë.

Besnik Mustafaj: Unë them se ne e kemi të lehtë, nuk është çështje pesimizmi dhe optimizmi mendoj unë, e kemi të lehtë nëse vërtet të dyja palët e kemi pranuar raportin. Pra nëqoftëse në këtë tekst sintetik që do të shkruajmë pasdite do të biem dakord t’i referohemi asaj çka është thelbësore në raport, atëherë mundësia për të arritur në një konsensus të plotë, është e padiskutueshme. Por gjithsesi kjo varet nga dy qëndrimet që ne do mbajmë. Ne jemi të nisur nga vullneti që të mos kapërcejmë tekstin, t’i përmbahemi tekstit të raportit dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga partnerët tanë socialistë.//kk//

XS
SM
MD
LG