Lidhje

Franca dhe lufta në Irak - 2003-04-16


Për të parën herë pas më tepër se dy muajsh, Presidenti francez Zhak Shirak bisedoi dje në telefon me presidentin Bush, përpjekje që disa vëzhgues thonë se synonte riparimin e marrëdhënieve të tendosura amerikano-franceze. Ai i tha presidentit Bush se Franca është e gatëshme të mbajë një qendrim pragmatik. Kundërshtimi i Francës për luftën në Irak, pati mbështetje të gjerë në vend, por tani që lufta pothuajse ka mbaruar, në Francë po shtohen zërat që e vënë në dyshim urtësinë e vendimit për t’ju kundërvënë Shteteve të Bashkuara.

Presidenti francez Zhak Shirak mund të jetë i kënaqur nga një anketim, rezultatet e të cilit u publikuan në gazetën franceze ”Liberation”. Sipas anketës, 70 për qind e francezëve janë pro politikës së ndjekur nga zoti Shirak.

59 për qind e të anketuarve thanë se e kundërshtonin luftën e Shteteve të Bashkuara ndaj Irakut dhe gjysma e tyre nuk dyshonin se Franca mund të izolohet nga pikpamja diplomatike, për kundërshtimin e luftës.

Por anketa tregon qartë se miratimi për politikën e zotit Shirak ka rënë 4 për qind që nga muaji mars. Përqindja e francezëve që e kundërshtojnë luftën, gjithashtu ka rënë. Në një protestë që u zhvillua gjatë fundjavës në Paris kundër ndërhyrjes amerikane në Irak, morën pjesë një numër më i vogël njerëzish, se në protestat e mëparshme.

Analisti politik Etienne Schweisguth thotë se tani që regjimi i Saddam Husseinit është rrëzuar, shumë francezë nuk janë më aq të sigurt sa më parë se lufta kundër Irakut ishte diçka e keqe.

Francezët vazhdojnë të jenë skeptikë, thotë zoti Schweisguth, i cili punon në Qendrën e Studimeve të Jetës Politike Franceze në Paris. Koalicioni nën udhëheqjen e Shtetetve të Bashkuara mund ta ketë fituar luftën, thotë ai, por njerëzit ende nuk janë të sigurtë në se kjo do t’i sjellë paqen Irakut.

Në të njëjtën kohë, konflikti duket se ka sjellë probleme financiare në Francë. Prodhuesit francezë të verës, për shembull, po fillojnë të ndjejnë pasojat negative të bojkotimit të prodhimeve të tyre nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Biznese të tjera në Francë shqetësohen se janë lënë jashtë kontratave fitimprurëse për rindërtimin Irakut të pas-luftës.

Janë shtruar pikëyetje edhe për diplomacinë transatlantike të vendit.

Gjatë një debati në Parlament javën e kaluar, një deputet i partisë konservatore të zotit Chirak, paralajmëroi se dalngadalë po ngre krye kultura për t’i thënë ”JO” çdo politike amerikane. Një tjetër deputet la të kuptohet akoma më hapur se Parisi zgjodhi gabimisht si armik Washingtonin, në vend që të zgjidhte Saddam Husseinin.

Disa nga mjetet franceze të informimit e kanë paralajmëruar qeverinë të mos ndjekë diplomacinë e konfrontimit me këmbënguljen që administrimin e përkohshëm të Irakut ta marrë OKB-ja e jo Uashingtoni. Në një editorial të gazetës ”Le Monde”, i bëhej thirrje Parisit të punojë me Uashingtonin për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.

Ekspertë të tjerë, si Philippe Moreau Defarges, këshilltar special i Institutit francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Paris, mendon se koalicioni kundër luftës në Irak, ku përfshihen Gjermania dhe Rusia, mund të shpërbëhet së shpejti, duke e lënë Francën të izoluar.

Është e qartë se koalicioni midis Parisit, Berlinit dhe Moskës ishte artificial. Është e sigurt se Rusia dhe zoti Putin do të bëjnë lojën e tyre dhe do të pajtohen me Shtetet e Bashkuara, dhe jo vetëm për çështjen e Irakut dhe të kontratave të naftës. Për sa i përket Gjermanisë, është e qartë se kancelari gjerman nuk është një njeri shumë i fortë dhe një ditë edhe ai do të përpiqet të pajtohet me Washingtonin.

Në të njëjtën kohë, thotë zoti Defarges, Shtetet e Bashkuara mund të jenë tepër të zëna me rindërtimin e Irakut, për t’u shqetësuar rreth konftrontimit me Francën. Kjo, shton ai, në fund të fundit, do të jetë një lajm i mirë për qeverinë franceze.//ii

XS
SM
MD
LG